Ekskluzive/ Ramadani tregon presionin dhe kaosin: Nuk ka faj arbitri! E rrethonin 3 lojtar pas çdo vendimi

Një gjyq i hapur i është bërë kryesorit të takimit gjatë ditës së djeshme, atje ku Bylisi është përballur ndaj Vllaznisë. Ndeshja përfundoi në shifarat 2-2 dhe në minutat e fundit ka kulmuar edhe një episod që do të sillte kaosin në fushë.

Topi do të prekte shpinën e Ramadanit dhe arbitri akordoi një penallti, nisur nga presioni i madh në fushën e Ballshit që pati jo pak ndikim. Mes grumbullit të lojtarëve, gjyqtari i katërt ka shkuar për t’i thënë kryesorit se duhej ta anullonte penalltinë pasi nuk ishte. Por nga krahu i Bylisit ka pasur aludime se delegati Bujar Pregja ka vrapuar dhe gati sa nuk është rrëzuar për t’i treguar kryesorit videon me telefon se çfarë kishte ndodhur. “Sport Ekspres” ka komunikuar me vetë protagonistin e këtij rasti, Behar Ramadanin, që na shpjegon qartësisht gjithçka ka ndodhur.

“Në momentin që topi më ka goditur në shpinë, unë kisha rënë në tokë dhe dëgjova bilibilin. Kur kthej kokën e shoh që e kishte sinjalizuar për penallti. Unë normalisht nuk po arrija që ta besoja dhe kam vajtur direkt që t’i them se nuk ishte penallti.

Nëse më pyesni mua, them që kryesori nuk kishte faj pasi gjithçka ndodhi kaq shumë shpejt. Distanca që u godit topi nga unë që e afërt dhe njëra dorë e imja ishte e hapur. Mbase arbitri ka menduar që topi më ra në dorë duke parë edhe protestat që po bënin lojtarët e Bylisit. Ai e dha vendimin e tij dhe duhet theksuar që ka pasur aq shumë presion aty nga minuta e parë te e fundit. Në çdo vendim të tij kishte gjithmonë nga 2-3 lojtarë që e rrethonin. Për ndërrimin e vendimin unë me ato që pashë dhe dëgjuam aty kryesori fillimisht u konsultua me ansorin, por ndihmën më të madhe ia dha arbitri i katërt dhe aty erdhi vendimin. Sa i përket aludimeve për ndërhyrjen e delegatit Pregja, me siguri nuk flas dot. Por me siguri të plotë ju them që Pregja nuk është futuar fare në fushë dhe nuk ka komunikuar fare me anësorin.  Ne nuk la lënë shans fare Pregja që të protestonim tek ai dhe t’i shpjegonim se çfarë ndodhi”, ka thënë Ramadani. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *