Ekskluzive/ “Rama të mos ndikohet nga xhindët”, rrëfimi i Lugës: Në Itali edhe kotelet e maceve janë tifoze futbolli

Kryefjala e futbollit në Shqipëri në këtë moment është mungesa e mbështetjes së shtetit. Jo vetëm përgjigja negative që erdhi prej andej, por edhe mënyra sesi u tha pa u menduar dy herë, duke harruar se në këtë industri punojnë një ushtri me njerëz që janë qytetarët e këtij vendi. Ndërkohë gjendja është vërtet shumë serioze dhe trajneri që ka qenë më parë në Shqipëri dhe tani punon në Kinë me të rinjtë e Shenzenit, Ergys Luga, tregon për “Sport Ekspres” sesi në Kinë kanë falimentuar shumë skuadra, megjithëse ekonomia e atij vendi është vite dritë larg nesh, në të gjitha drejtimet. Gjithashtu Luga është shprehur se Rama ka qenë edhe vetë sportist dhe për këtë arsye duhet të jetë dashamirës në këtë fushë, por nuk duhet të ndikohet nga “xhindët” që e rrethojnë.

“Unë nuk e di se si mund të braktiset sporti në këtë mënyrë, veçanërisht sporti më i dashur për të gjithë shqiptarët siç është ai i futbollit. Këtu po bëhet loja e ”gjuetive të shtrigave” për nga mënyra e sjelljes me futbollin. Situata është me të vërtetë shumë shqetësuese. Po të marrë shembullin e Kinës ku situata e Koronavirusit kaloi dhe kta po bëjnë llogaritë dhe të dhënat e fundit. Aty tregohet që një ekip i Superliges Kineze (Tijnjin Tianhai) është drejtë falimentimit, jane 6 ekipe të Kategorisë së Parë që janë në prag falimentimi gjithashtu dhe gati më shumë se gjysma e ekipeve te Kategorisë së Dytë që kanë shpallur plotësisht falimentin dhe numri i pjesëmarrjes në kampionat po reduktohet përshkak të borxheve .

Nëse të bëjmë një ekuivalent këtu, buxheti i nje ekipi po marim më të ultin te Kategorisë së Dytë, është 5 fishin e një ekipi të Superligës Shqiptare. Bëjini llogaritë dhe nxirrni rezultatin se ku mund të shkoj futbolli jonë po nuk pati mbështetje në këtë periudhë të veshtirë.

Unë personalisht mendoj se po humbim jo vetem mjekët, inxinierët që po largohen, por po humbim edhe sportistët. Kam punuar në akademi vetë dhe të gjithe prindërit janë njëzëri për të ardhmen e femijëve nëse do të vazhdojnë futbollin, duhet ta vazhdojnë medomos jashtë vendit. Sot futbolli nëpermjet pasionit është kthyer në biznes fitimprurës ose industri. Nuk mund të braktiset kështu sporti më i bukur. Personalisht mendoj pro bojkotit të kampionatit me një PO të madhe, derisa të gjendet një zgjidhje .

Ne kemi në futboll mikun më të madh të mundshëm. Përtej shakasë, mendoj se kryeministri ka qenë vetë sportist dhe duhet patjeter të mos ndikohet nga ”xhindët” që e rrethojnë. Kemi kohë që parashikojmë një kolaps përpara kesaj situate të pazakontë për shkak të Ligjit të Sportit, e jo më tani që eshte ngritur seriozisht SOS, nuk po dimë më si ta quajmë këtë situatë e cila po prek fundin, por ende nuk dimë si do të jetë a ”fund me tmerr apo tmerr pafund”?.

Fjalët e Kallakut? Është futbollist i mirë dhe djalë shumë i mirë, normalisht jo vetëm për të, por për të gjithë ambjentin sportiv në Shqipëri cdo gjë që themi janë fjalë që burojnë nga zemra dhe nga dëshira që futbolli jonë të ecë përpara. Plus kësaj kanë të gjithë familje dhe të ardhurat normalisht do shkojnë aty. Nuk mundet kurrë të përfundoj kështu.

Sa i përket Italisë ajo jeton me futbollin. Në Itali është krejt normale që edhe ”kotelet e maceve” lindin tifoze futbolli. Mendoj se Italia gjëja e fundit që mund të bëj, do veproj me ulje minimale  te rrogave ose ndonjë plan të dytë që do të jetë i pranueshëm . Nuk mund të jetojnë dot pa futbollin ata”, tha Luga. /Sport Ekspres/