Ekskluzive/ Politika dhe presionet e ulta nga Greqia, talenti Mitaj u largua si një shembull

Teksa jemi ende në jehonën e rastit Andrea Ndoj, që përfundoi në listën e Greqisë U-17, “Sport Ekspres” ka shkuar edhe më tepër për të kuptuar këtë situatë.

Babai i këtij futbollisti, Nesti Ndoji, u shpreh për median tonë se ndodhej mes dy zjarreve dhe se ky vendim mund të jetë edhe i përkohshëm, që të luajë me helenët deri në moshën 21-vjeçare. Dera e Shqipërisë lihej e hapur, ndërsa e nënkuptuar dilte se Olimpiakosi mund të mbyllte karrierën e këtij futbollisti.

Atëherë, si mund të zgjidhet kjo situatë? Një pyetje që shkon në mendjen e shumë njerëzve, ndërsa ne po iu ofrojmë një rast konkret. Pikërisht për talentin Mario Mitaj, që ka mbajtur shiritin e kapitenit te Shqipëria U-17, ndërsa në të njëjtën kohë ishte edhe kapiten te AEK-u U-17 në Greqi.

Duke parë këtë ambient dhe presionet e shumta që vinin nga vendi ynë fqinj, aspak dashamirës, familjarët e Mario Mitaj me origjinë Vermoshi, e ka gjetur rrugën e duhur. “Sport Ekspres” mëson se ishte pikërisht kjo arsyeja që ky talent u largua nga AEK-u dhe shkoi përpara disa muajsh në një akademi në Spanjë.

Më saktësisht bëhet fjalë për Huescan, atje ku Mitaj do të përgatitet dhe do të mundohet të sigurojë karrierën e tij. Kontrata me këtë akademi është një vjeçare, ndërsa në fund akademia siguron kontakte me klube të ndryshme elitare.

Nëse këto të fundit do e pëlqejnë aftësinë dhe atë kualitet që zotëron Mitaj, atëherë do ta marrin menjëherë. Në të kundërt, lojtari do të jetë i lirë. Por e gjitha kjo sakrificë ia vlen, pasi do të ishte akoma mes presioneve për të veshur fanellën e helenëve dhe për të djegur karrierën e tij, si shumë raste të tjera. /Sporrt Ekspres/