Ekskluzive/ Oferta e çuditshme e Prognit, Veliu: Tani shpresoj t’i marrë drekë, jo me Red-Bull

Gjilani dhe Mezani ka bërë tjetër goditje të zgjuar duke marrë një futbollist me shumë përvojë në prapavijë si Franc Veliu. Një siguri e shtuar për mbrojtjen e ekipit shqiptar në Kosovë, që është në rrugë të mbarë me rezultatet e marra deri tani.

“Sport Ekspres” ka zhvilluar një intervistë me lojtarin që ka kaluar shumë vite në Superiore, për të folur më tepër rreth kësaj aventure të re, por nuk mund të lihej pa prekur edhe situata që po kalon tani Flamurtari. Një tjetër detaj i veçantë është oferta dhe zemërgjerësia e Prognit, që për çdo asist dhe gol, qeras gjithë shokët e skuadrës me “Red-Bull”.

Si erdhi vendimi për të mbërritur te Gjilani dhe prej nga erdhi telefonata për transferimin?

Unë kam qenë në bisedime të vazhdueshme te Gjilani, me profesor Mezanin dhe drejtuesit e klubit. Kemi qenë gjithmonë në kontakt dhe ramë dakort në momentet e fundit. Por dua të theksoj se që më herët ka ekzistuar dëshira për ta mbyllur marrëveshjen.

Puna me trajnerin Mezani. Çfarë të veçante ka në filozofinë e tij, pasi formulën e suksesit e ka dërguar edhe në Kosovë.

Me profesorin unë kam punuar dhe tek Flamurtari, njihemi shumë mirë. E pëlqej punën e tij pasi është trajneri kërkues dhe që nuk të vë kurrë në presion. Është i aftë t’i marrë maksimumin secilit prej lojtarëve. Filozofia e tij është bashkëpunimi dhe sakrifica e grupit.

Si e sheh nivelin e futbollit në Kosovë dhe çfarë të ka bërë përshtypje menjëherë me atë në Shqipëri?

Në Kosovë luhet futboll i mirë dhe i luftuar. Më pëlqen korrektesa si njerëz dhe përkushtimi që kanë te futbolli. Këtu bën pjesë edhe ana financiare, që janë në progres të vazhdueshëm.

Ndërkohë Flamurtari me 0 pikë. Sa e vuan këtë gjendje dhe kush është problemi kryesor që sheh te kjo skuadêr?

Padyshim që Flamurtari është pjesë e jetës sime, e ndjek në çdo hap. Më vjen keq për gjendjen ku ndodhen, shpresoj të bëhet më e mira për atë emër të madh të futbollit shqiptar. Një menaxhim i mirë dhe më shumë dashuri për atë klub, do i bënte mirë ekipit.

Mediat në Kosovë kanë raportuar se Progni qeras me Red Bull cdo lojtar të skuadrës nëse shënon apo jep asist. Sa e vërtetë është?

Po e vërtetë është kjo.

Ti a e ke kapur këtë ofertë të Prognit?

Më vjen inat që nuk isha këtë ndeshje për të përfituar edhe unë. Shpresoj që ndeshjen tjetër të bëj dy gola që t’i marrë një drekë, jo më vetëm Red Bull. (Qesh) /Sport Ekspres/