Ekskluzive/ “Nuk kisha marrë leje nga Zoti”! Egbo rrëfen pse hezitoi për Tiranën: Mos t’ju duket rastësi që Muça rilindi me mua

Emanuel Egbo është duke bërë që te Tirana të besojnë një përrallë që tashmë është duke u përjetuar. E kush do ta mendonte në momentin që erdhi ky tranjer, se bardheblutë do të mundin Partizanin pas 5 vitesh pa derbi të fituar, se në gjithë rrugëtimin do të merrnin një barazim dhe asnjë humbje dhe mbi të gjitha, do të fitonin sërish përballë të kuqëve, por këtë herë 5-1?

Lista është vërtetë e gjatë dhe nuk mund të përmblidhen kurrsesi sukseset e arritura nga Egbo në pak kohë pune deri tani, por atë që mund të themi me siguri është se deri këtu nuk ka mbërritur as fantazia më e ekzagjeruar e tifozit më optimist të Tiranës. “Sport Ekspres” ka intervistuar trajnerin e bardhebluve, duke shuar edhe kuriozitetin tonë: “Në rregull atëherë, nëse po shkohet kaq mirë, përse u hezitua në fillim?”.

Presidenti Halili kërkoi që t’i besonte Egbos kreun e drejtimit dhe të mos ishte vetëm trajner i përkohshëm, por kjo do të merrte kohë nga ish-tekniku i portierëve, që sipas asaj që na thotë, nuk e kishte marrë ende lejen e Zotit.

Tirana ndodhet në vendin e parë. Nëse e shohim në këtë moment, gjithçka shkon në perfeksion për epokën tuaj të re. Por kurioz, përse pate kaq shumë hezitim dhe mëdyshje për ta marrë, kur po shkohet kaq mirë?

Unë jam besimtar dhe nuk marrë asnjë veprim pa u konsultuar me Zotin. Në momentin e parë kur më kanë thënë për të marrë drejtimin e ekipit, nuk kisha marrë ende lejen e Zotit. Kjo është metoda ime, që përpara se të marrë vendimet të rëndësishme të jetës, flas me perëndinë nëpërmjet lutjes dhe duke marrë edhe këshilla nga priftët e Kishës ku unë jam pjesë, por edhe të afërmit që më kanë ndihmuar për marrë ato vendimet e duhura. Atëherë kur e kam marrë këtë lloj konfirmimi, pranova që të drejtoj Tiranën. Prandaj ka pasur atë lloj hezitimi në fillim.

Do të shijonte një titull në tavolinë, i servirur shpejtë dhe i sigurtë, apo duhet me patjetër në fushë dhe për të provuar edhe një tjetër derbi me Partizanin…

Për mua nuk ka rëndësi sesi e fitojmë titullin, si do të na e jep Zoti, si në fushë apo në tavolinë. Por nuk do të ishte keq që të fitonim në fushë dhe me mbylljen e kampionatit.

Në merkato është përfolur shumë për mbrojtjen e Tiranës edhe për një emër si Arlind Ajeti. E nga ana tjetër konfirmohet Gentian Muça, që në fakt po jep edhe më shumë. Një mungesë e tij dhe i vetmi barazim erdhi, ai ndaj Skënderbeut. Çfarë po i shton kësaj skuadre?

Për Ajetin nuk më ka thënë asnjë nga klubi deri tani. Sa i përket Gentian Muçës, unë personalisht mendoj se Zoti e ka risjellë në jetë për herë të dytë në këtë ekip. Kjo sepse për të gjithë ne nuk kishte shpresë për rikthimin e Muçës. Por besimi i madh që ai kishte, e bëri të mundur një gjë të tillë për ta kthyer nga “bota tjetër”. E nuk është koeçidencë që rikthimi i Muçës ka ardhur me emërimin tim që kur unë kam drejtuar ekipin. Këto janë të planifikuara dhe të shkruara prej Zotit. Vetëm prania e Gentit në gjithë ndeshjet e fituara prej nesh e ka një domethënie. Ka gabuar edhe Muça ndonjëherë, si të gjithë ne, por prapë kemi dalë fitimtar në të gjitha ndeshjet sepse është parë zemra jonë dhe se në ekip ka harmoni, besim, tolerancë dhe respekt për njëri-tjetrin.

E kur flitet për Zotin e Egbos, është pikërisht ai që të jep ndihmën e tij kur ti ke kryer gjithçka dhe pret fatin në krahun tënd e jo kur qendron duarkryq dhe pret dhurata nga qielli. Kjo është e ditur, por a di se edhe te Tirana kanë nisur të kthehen më besimtar prej teje?

Po e di, ma kanë thënë shumë njerëz këtë, por edhe ky ka qenë një premtim që unë ia kam bërë perëndisë, se do të bëj të gjithë shqiptarët dhe mbarë botën që të besojnë tek ai. Kjo pasi njerëzimi e ka humbur besimin, Po e bën me ekipin e Tiranës pasi e ka parë besimin që ne kemi dhe nuk po rrimë me duart kryq, e vërtetë, duke pritur që të zbresi nga qielli, por duke bërë maksimumin në fushë. /Sport Ekspres/