Ekskluzive/ Njeriu që i hapi rrugën fitores, Tafa: Fola me lojtarët e Kosovës pas ndeshjes

Shaqir Tafa ishte një nga futbollistët më të mirë të takimit mes Shqipërisë U-21 dhe Kosovës U-21, e përfunduar me rezultatin 2-1. Ndoshta ka qenë kjo ndeshja më e mirë e këtij lojtari me fanellën e Shpresave.

Jo vetëm në nivelin e duhur të prapavijës, por njëkohësisht edhe njeriu gol që i hapi rrugën fitores, pasi tundi rrjetën për herë të parë në një takim që deri në ato momente ishte i mbyllur në shifrat 0-0. Në një prononcim për “Sport Ekspres”, Tafa na tregon pak më tepër mbi këtë ndeshje, ato momente tensioni në fushë dhe situatën e tij në klub.

“Kemi bërë ndeshje shumë të mirë, sidomos në zonën e prapavijës ishim thuajse perfekt. Duke marrë parasysh që Kosova ka sulmues shumë të shpejt dhe me aftësi të mira. Sigurisht, që janë marrë disa rezultate negative, por ndeshjet tona kanë qenë në nivelin e duhur dhe kemi luajtur futbollin tonë.

Përballja me Kosovën ishte vëllazërore, por ato që ndodhën ishin edhe nga nervat e lojës dhe të futbollit. Pas ndeshjes fola me disa prej lojtarëve të Kosovës dhe jemi kuptuar. E dinim që kishin një ekip të mirë dhe agresiv. Jemi vendosur mirë në fushë dhe i kemi lënë sa më pak hapësira. Situata është e mirë edhe në klub pasi firmosa me Sicula Leonzio. Tani dua sa më tepër minuta në këmbë, të marrim fitore dhe të jem gati për ndeshjet e radhës te Shpresat”, ka thënë Tafa. /Sport Ekspres/