Ekskluzive: Një shirit bën çorbë kombëtaren, kush ishte kapiteni real?

Që prej ardhjes në Shqipëri, trajneri i ri i kombëtares sonë Kristian Panuçi ka bërë jo pak ndryshime, por për fat të keq tonin dhe të tij, shpesh ndryshimet nuk kanë prodhuar asgjë pozitive.

Në disa drejtime Panuçi është i justifikuar, sepse ta themi troç, ajo që bëmë me De Biazin ishte diçka unike, që nuk të përsëritet kaq lehtë, aq më shumë që cilësia e kombëtares ka pasur rënie të frikshme krahasuar me pak vite më parë.

Megjithatë, Panuçi mban përgjegjësi për shumë gjëra të tjera dhe një ndër to është çështja e shiritit të kapitenit. Nga jashtë duket një histori komike, sepse nuk mund të krijohen probleme për një shirit me vlerë simbolike, por nuk është kaq e thjeshtë.

Çdo ekip ka nevojë për një lider në fushë e jashtë saj dhe jo rastësisht në Angli zgjedhin kapiten në fushë, por edhe kapiten klubi, duke vlerësuar figurën më të rëndësishme në ekip, edhe nëse nuk luan kurrë.

Edhe De Biazi e kishte shumë të qartë rëndësinë e kapitenit dhe logjikshëm zgjodhi Lorik Canën si kapiten, gjatë fluturimit për në Europian.

Panuçi, ndoshta i vendosur në vështirësi nga fakti që Cana e mbylli me Europianin, zgjodhi rrugën e gabuar, duke ia besuar shiritin lojtarit me më shumë ndeshje në kombëtare, çka krijoi rrëmujë, sepse çdo ndeshje kishim një kapiten të ri dhe çdo grumbullim kishim paqartësi e pakënaqësi mes lojtarëve.

Në një grup pa lider të vërtetë dhe me disa “koka”, zgjedhja e Panuçit ishte bumerang i rrezikshëm dhe italiani krijoi një çështje tragjikomike, aq sa shpesh në media është folur me shumë për shiritin, sesa për aspekte teknike.

Duke e kuptuar gafën e tij, pas një viti në drejtim Panuçi ndryshoi kurs dhe para Jordanisë bëri të ditur se kapiteni do të zgjidhej me votim nga lojtarët. Më mirë vonë, se kurrë, por edhe këtu ka probleme, sepse ka ndodhur diçka e pabesueshme.

Nga burime brenda kombëtares, “Sport Ekspres” mëson se votimi i famshëm nuk prodhoi realisht Mërgim Mavrajn si kapiten. Kristian Panuçi nuk e bëri fare numërimin e votimit dhe shpalli kapiten Mavrajn, por lojtarë të ndryshëm betohen se me shumë vota kishte marrë Elseid Hysaj.

Shkodrani u zgjodh zëvendëskapiten, ndjekur nga Basha, por Panuçi tha para ekipit se zëvendëskapiten ishte Andi Lila.

Kaosi nuk mbaroi aty, sepse kur u zëvendësua Mavraj nuk ia dorëzoi shiritin Lilës, sipas orientimit të Panuçit. Qendërmbrojtësi, në mungesë të Hysajt dhe Bashës, shkoi dhe ia vendosi shiritin Etrit Berishës, edhe pse Lila ishte në fushë, sinjal i qartë i një rrëmuje totale që mbizotëron në kombëtare dhe ku duket se ka probleme edhe brenda grupit, përveçse me trajnerin.

Pas ndeshjes Mavraj e kaloi me “ato që themi mes nesh nuk dalin në media”, ndërsa Lila me humor kërkoi hapjen e kutive. Me sa duket, demokracia është bërë fjalë e frikshme edhe në kombëtare, një ndër gjërat e pakta që ka qenë një hap përpara dhe larg mentalitetit shqiptar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *