Ekskluzive/ Një pendim për të shkuarën? Klubi në Kroaci shmang çështjen Nabueze

Në mediat shqiptare është bërë si tematike kryesore në ditët e fundit një problem në zemër i hershëm për Nabuezen. Pikërisht për këtë arsye do të vinte edhe ai largim nga Gorica në Kroaci, pasi sipas tyre ky problem ishte serioz dhe ndikonte shumë te lojtari, që në 10 ndeshje asokohe kishte realizuar 5 gola.

Pra statistika jo shumë të këqija për të mbajtur sulmuesin. Por me shumë të drejtë, te Laçi kanë dalë edhe me një reagim zyrtar se kanë kontaktuar me doktorin më të mirë në Amerikë dhe u është garantuar se ky sulmues luan në nivelet më të larta, duke iu dhënë garancia.

“Sport Ekspres” ka kontaktuar me zyrtarët e shtypit të Goricas për të marrë më shumë informacion rreth vendimit të tyre. Pyetja që ne i drejtuam ishte shumë e thjeshtë: “A ishte atë kohë një problem kalimtar ai i Nabuezes që solli edhe largimin nga ju, por nuk ishte koha ajo që premtonte, apo ishte një vendim i pashmangshëm pasi nuk kishte shpresa për një përmirësim të gjendjes?”.

Në lidhje me këtë pyetje, na vjen një përgjigje shumë e thjeshtë në dukje, por njëkohësisht që lë edhe shumë për të nënkuptuar. “Ne nuk mund të japim asnjë informacion më shumë për Nabuezen, pasi nuk është pjesë e ekipit tonë”. Pra, njëfarë pendimi dhe gabimi edhe për të shkuarën, sepse çështja në tërësi diskutohej për kohën kur Nabueze ishte pjesë e këtij ekipi. Jo gjithmonë ajo që ne gjejmë dhe shohim jashtë Shqipërisë është një e vërtetë absolute, pasi edhe në Europë ka pafundësisht gabime që bëhen me trajtesën e lojtarëve. Kjo mënyrë mbrojtje është klasike, ndërsa Nabueze jepte edhe përgjigjen më të bukur në lidhje me kët çështje: “Si mund të shënoja me një problem në zemër kaq shumë gola? /Sport Ekspres/