Ekskluzive/ Një lëvizje e fuqishme për të zgjuar Elbasanin, flet organizatori: Reflektim! Ose bëhet tani, ose nuk ka moment tjetër

Elbasani ndodhet prej vitesh në një situatë aspak komode, teksa e ka të pamundur që të diskutojë ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar. Tifozëve u është vrarë edhe “shpresa”, ndërsa të gjithë po pranonin në heshtje “zhdukjen” e kësaj skuadre.

Ndërkohë një lëvizje e fuqishme po ndërmerret për të ndryshuar ujërat në këtë klub, e organizuar nga Andi Matraxhiu. Aktualisht është menaxher i njohur i futbollistëve, por ka qenë lojtar tek moshat e Elbasanit dhe pjesë e tifozerisë si krijues. Pikërisht për këtë arsye e ndien më së shumti gjendjen e keqe të ekipit. Nëpërmjet disa videove, Matraxhiu i bën thirrje personave me përgjegjësi në Bashki që të hedhin sytë te ekipi. Ndërkohë kjo nismë po gjen edhe mbështetjen e shumë njerëzve. “Sport Ekspres” ka kontaktuar me menaxherin që na shprehet:

“Qëllimi kryesor i idesë vjen nga gjendja e keqe skuadrës dhe me këto mesazhe bëjmë thirrje për njerëzit që kanë përgjegjësi dhe të reflektojnë.  Të ndalen një moment dhe të mendojnë për ekipin dhe tifozerinë, që është vuajtje shpirtërore.

Unë jam elbasanas autokton, kam luajtur me moshat për një kohë të gjatë atje, kam qenë një nga krijuesit e tifogrupit dhe mbështetësit kryesor edhe me shokët e miqtë e mi. Pavarësisht pozicionit që kam tani, dashurinë për Elbasanin nuk e kam harruar dhe mohuar. Kam bërë aq mundësi sa kam pasur. Sa do të jetë efikase, le t’ia lëmë kohës.

Shumë njerëz e keqkuptojnë thirrjen për tani për ekipin dhe ne nuk mund ta mbajmë mendjen te virusi. Kjo tregon dashurinë për ekipin fakti që po bëjmë thirrje në këtë moment dhe vjen spontanisht. Në këtë moment të gjithë njerëzit janë të izoluar dhe ose është ky momenti për të reflektuar ose nuk ka moment tjetër.

Ideja është se Elbasani do një projekt të qartë, nëse do ketë financa të shëndosha. Mjafton që ekipi të bjerë në dorë të njerëzve profesionist, të mos kenë interesa personale. Ka një akademi dhe shumë të rinjë me talent, mund të eci me një projekt 3-4 vjeçar mos t’i gënjej mendja se do zgjidhet me një buton.

Unë kam pasur ndikim te tifozeria e Elbasanit në vitet 2004-2005. Besoj se do kem sërish këtë ndikim, pavarësisht se i di hallet e përditshmërisë. E thashë edhe më para, nëse nuk do kisha detyrime familjare të tjera dhe të isha adoleshent, do rrija e do flija te dera e kryebashkiakut. Duke e njohur veten time atëherë, do e bëja vërtet këtë çmenduri. Nuk mund të themi që kjo ka “vdekur” dhe është e vështirë të ringjallet, sepse janë disa principe. Nëpërmjet reagimit të njerëzve të sportit, shpresojmë që do të marrim një reagim për këtë çështje”, ka thënë Matraxhiu. /Sport Ekspres/

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *