Ekskluzive/ Mbrojtësi i madh po vjen, Bajrami: Babai më thoshte me shaka…Anglinë apo Shqipërinë?

Nëse flasim për futbollin anglez dhe talentet që po vijnë prej andej për Kombëtaren e Shqipërisë, të gjithë do të ndaleshin te Armando Broja. Kjo pasi gjithmonë lojtarët që mbahen mend janë ata që shënojnë golat dhe vendosin ndeshjen.

Por ajo që nuk duhet të harrojmë, është mbrojtësi i madh që po i vjen Shqipërisë. Shumë analistë shprehen pesimistë për të ardhmen, megjithëse nuk kanë asnjë njohuri të vetme për atë që na pret. Ndoshta pakkush prej tyre e dinë se në Angli ndodhen edhe talente të mëdhenj si Armando Dobra dhe Geraldo Bajrami. Ndoshta pakkush kanë parë një ndeshje të këtyre lojtarëve.

Sidomos nëse flasim për Bajramin, një mbrojtës që Shqipëria nuk e ka pasur kurrë. Një mbrojtës tipik anglez, me forcën dhe qendrueshmërinë e madhe për të mbyllur kundërshtarin, po ashtu edhe me luftën në ajër që e ka si pikën më të fortë. Për më tepër i pajisur edhe me shiritin e kapitenit te U-23 i Birminghamit. Bajrami luan me U-21 e Shqipërisë, ndërsa në përballjen e fundit ndaj Kosovës, ishte i vetmi që po arrinte të mbyllte Kastratin dhe shpejtësinë e tij. Në një intervistë për “Sport Ekspres”, ky mbrojtës na rrëfen gjithçka.

Në ndeshjen ndaj Kosovës ishe i vetmi që po përballoje Kastratin dhe shpejtësinë e tij në mënyrën më të mirë. Sa e vështirë ishte për ty?

Faleminderit për vlerësimin tuaj. Por nuk ishte një “betejë” mes meje dhe Kastratit. E gjithë mbrojtja dhe mesfusha u morën me të, sepse në analizën tonë para ndeshjes ne e identifikuam se ai ishte “kërcënimi” kryesor. Kishim udhëzimet tona për të siguruar që do e ndalnim atë aq sa të mundnim. Ne e dinim që do të ishte një ndeshje e vështirë sepse pamë se me sa pasion luante Kosova në përballjet e kaluara edhe pse një vend i vogël. Por unë mendoj se djemtë e kanë realizuar planin në përsosmëri dhe Kosova ka shënuar me vetëm një gjuajtje në portë.

Tifozët shqiptarë i kanë pasur gjithmonë këto frikëra nga precedentët e shumta. T’i qetësojmë të gjithë, je i joni?

Po unë e kam bërë vendimin tim shumë kohë më parë. Doja të luaja për Shqipërinë.

E meqë ishte një vendim i hershëm ky, çfarë të ka bindur që të vije të Shqipëria? Pra kjo dashuri e madhe, duhet ta ketë një histori të veçantë apo jo?

Kur unë isha i vogël, babai më thoshte gjithmonë me shaka: “Do të luash për Shqipërinë apo për Anglinë”? Unë i shprehesha se doja vetëm Shqipërinë. Që nga ajo kohë e kam bërë vendimin tim dhe do i qendroj. Prindërit nuk e menduan kurrë se do të ndodhte, por ata janë krenarë me mua tani dhe unë dua të luaj sa më tepër të jetë e mundur për vendin tim. Të kem kujtime të bukura për të ardhmen.

Një lojtar i ardhur nga futbolli anglez. Pyetje për kuriozitetin e të gjithëve dhe që do të na tregonte shumë. Çfarë aspekti i kushtoni më shumë rëndësi në stërvitje te Birminghami?

Në Angli ka shumë vëmendje në anën fizike të lojës. Sepse futbolli anglez veçanërisht është shumë fizik. Ata gjithmonë përpiqen të përmirësojnë fuqinë, shpejtësinë dhe qëndrueshmërinë e lojtarët, kështu që ne nuk lodhemi kurrë. Por në Birmingham që kur ishim të rinj, gjithmonë kemi qenë të trajnuar të jemi të mirë në lojën me topin dhe ishte e rëndësishme që teknikisht të ishim të mirë me zotërimin e tij, përfshirë mbrojtësit. Kjo sepse në ditët e sotme shumë skuadra pëlqejnë të luajnë nga prapavija. Jam me fat që kam qenë gjithmonë i gjatë dhe i fortë, por gjithmonë e dija se duhej të punoja në aftësinë time teknike sepse isha një lojtar i madh fizikisht dhe kjo më ka ndihmuar shumë. Ne gjithashtu kemi një trajner spanjoll dhe lojtarë spanjollë, të cilët po na bëjnë të provojmë një stil të ri të lojës, i cili përfshin përpjekjen për të luajtur futboll dominues në mbajtjen e topit.

Dy Shpresat tona të mëdha janë Bajrami dhe Broja. Vetë shkoni shumë si miq së bashku, përveçse takoheni aty në Kombëtare?

Unë kisha dëgjuar për të para se të fillonte të luante për Shqipërinë. Nuk e kisha takuar kurrë më parë dhe hera e parë që u takuam ishte kur po luanim kundër Francës në miqësore dhe unë e takova në aeroport. Unë kurrë nuk kam luajtur kundër tij sepse Chelsea është në një ligë tjetër. Por kush e di në të ardhmen, ndoshta ne do të luajmë kundër njëri-tjetrit ose ndoshta edhe në të njëjtin ekip. Po Broja është një mik shumë i mirë dhe ka një të ardhme të ndritshme përpara tij.

Në aspektin personal e bëre debutimin me ekipin e parë te Birminghami. Tani kur do të shohim gjithmonë aty?

Ishte një moment krenarie për mua dhe familjen time kur bëra debutimin tim. Mendoj se luaja mirë pavarësisht rezultatit. Por shpresoj se do të marr një shans tjetër për të dëshmuar veten në të ardhmen e afërt, sepse ndjehem se jam gati të luaj futboll në ekipin e parë. Luaj vazhdimisht mirë te U-23 dhe ku jam kapiten, ndërsa kur të marrë atë shansin tim do t’i provojë trajnerin se ai mundet të më besojë mua dhe të sigurojë vendin në ekipin e parë. /Sport Ekspres/