Ekskluzive/ Luga flet hapur: Derbi tregoi se nuk është faji i trajnerit, por kafeneve të klubit te Tirana

Tirana ka arritur të fitojë derbin ndaj Partizanit me shifrat 2-1, duke thyer kështu “mallkimin” prej 5 vitesh pa iu gëzuar një triumfi në përballjen direkte. Mbi të gjitha, fitorja erdhi atëherë kur askush nuk e priste.

Më keq se në këtë situatë, Partizani nuk mund ta gjente Tiranën, që drejtohej nga trajneri i portierëve, Egbo. Por me këtë të fundit do të vinte një fitore që shkaktoi edhe largimin e Lerdës. Pyetja që të gjithë dërgojnë në mendjen e tyre: “Ku ishte kjo Tiranë më herët? Ku ishte kjo dëshirë më herët?”.

Në lidhje me këtë çështje ka bërë një analizë për “Sport Ekspres” trajneri i njohur Ergys Luga, që ka drejtuar Kamzën, ndërsa tani ka marrë aventurën e re në Kinë te të rinjtë e Shenzenit.

“Fitorja e marrë ndaj Partizanit entuziazmon vetëm tifozët, jo të ardhmen e Tiranës. Më çuditi fakti që Egbo me të njëjtin formacion ka luajtur. Kjo do të thotë se ngërci nuk është te trajneri, por te kafenet e klubit të Tiranës. Tirana duhet të mendoj seriozisht për të ardhmen dhe të freskoj ekipin, pasi i ka lojtarët me moshë mesatare më të madhe në Superiore. Nuk ka delir që të fitohet me Partizanin, klub legjendar që lufton për qendrimin në elitë. Nëse ndodh edhe njëherë rënia nga kategoria, do të ishte fatkeqësi.

Si e pashë ndeshjen? Në kontekstin e fasadës së stadiumit ishte një atmosferë emocionuese dhe elektrizuese. Shumë falenderime dhe mirënjohje, rrjedhojë e lotëve të derdhur këto ditë nga shqiptarët. Në rregull deri këtu, por lotët e tjerë shkojnë për mënyrën e lojës nga ekipet. Duhet rritur menjëherë niveli i lojës në futbollin tonë, ky impjant modern duhet plotësuar me lojë të bukur dhe lojtarë që dinë ta përdorin sferën.

Personalisht e pashë si një regbi, me shumë ndalesa, ndërhyrje të gabuara, pak qarkullim dhe skuadra që më shumë mendonin si të ndalonin kundërshtarin sesa të dërgonin topin te rrjeta. Në rregull, Tirana fitoj pas shumë vitesh në derbi, por si? Duke shfrytëzuar gabimet e rivalit? Duhet patjetër një ndërhyrje në ligjin e sportit në mënyrë që ekipet të kenë mundësi të afrojnë lojtar cilësorë, ndoshta nga jashtë. Nuk kemi nevojë të blejmë lojtarë “shqiptar” nga jashtë vendit. Ndeshja u vendos nga episode”, ka thënë Luga. /Sport Ekspres/