Tirana ka barazuar me rezultatin 1-1 ndaj Skënderbeut, duke thyer kështu “magjinë” e rezultateve pozitive. Bardheblutë kishin disa takime radhazi që po gjenin fitoren, duke mos njohur as shijen e barazimit, për të mos folur më pas për humbjen.
Do të vinte edhe momenti i ndaljes që nga drejtimi i Egbos, ndërsa erdhi në “Air Albania”, në përballjen me Skënderbeun. Pas mbylljes së takimit presidenti Refik Halili ka qenë disi i mërzitur me rezultatin, duke tërhequr vëmendjen për ndërrimet. Por në prononcimin e dhënë për “Sport Ekspres”, është shprehur se tërhiqet nëse ka gabuar në konstatim.
“Rezultati nuk është i favorshëm për ne, por skuadra bëri gjithçka për ta fituar. Për mua diçka nuk shkoi me zëvendësimet. Sulmi aty ishte, specialistët e kuptojnë më mirë, nëse unë jam gabim, atëherë tërhiqem. Ekipi do të eci përpara dhe ne do të shohim ndeshjen e radhës. Kukësin dhe Partizanin do t’i marrim me radhë një e nga një. Sigurisht që shpresoj edhe te fitorja me Partizanin, por kemi punë me Kukësin njëherë”, ka thënë Halili. /Sport Ekspres/