Ekskluzive/ Kokëdhima i kënaqur nga Apolonia dhe “Arena Kombëtare”: Ishte… si në Europë

Ditën e djeshme u luajt edhe ndeshja e parë në stadiumin më të ri të vendit, “Arena Kombëtare”. Ishin pikërisht femrat e Vllaznisë dhe të Apolonisë ato që shkelën për herë të parë në tapetin e këtij impianti modern të Shqipërisë, në një takim që përfundoi me shifrat 2-0 për vajzat shkodrane. Në stadium ishte i pranishëm edhe Koço Kokëdhima, i cili drejton klubin e Apolonisë.

Në një prononcim për “Sport Ekspres”, Kokëdhima shpreh vlerësimet e tij për këtë ndeshje, për zhvillimin e futbollit të femrave në vend, dhe sigurisht nuk mund të mos linte pa përmendur edhe përshtypjet mëse pozitive për stadiumin “Arena Kombëtare”, të cilin e quan si një punë dinjitoze dhe vepër të madhe të futbollit shqiptar.

“Lozën shumë bukur. Ishte një… mendoj se ishte një ndeshje shumë e mirë, shumë dinjitoze dhe e meritonte duartrokitjen e të gjithëve besoj kjo ndeshje, dhe të dy skuadrat. Besoj shumë tek nevoja për futbollin e femrave në Shqipëri, madje është më e domosdoshme mendoj që të shkojë përpara futbolli i femrave në Shqipëri sesa i vendeve të tjera, për ta civilizuar futbollin, për ta bërë atë më të kulturuar, më të hapur për të gjithë shoqërinë edhe më produktiv dhe më të mirë. Kështu që jam shumë i vendosur që me Apolloninë të punojmë ta çojmë përpara. Ne kemi sivjet rreth 70 vajza në futboll por shpresoj që së shpejti të bëhen 100 vajza.

Stadiumi “Arena Kombëtare”? I mrekullueshëm, një impiant i jashtëzakonshëm, mua më pëlqeu jashtëzakonisht shumë. Ishte një mjedis si në Europë, nuk dukesh domethënë si ajo mesatarja e impianteve sportive në Shqipëri që  jemi mësuar bashkë. Me të vertëtë një punë e shkëlqyer, me të vërtet një punë e bukur dhe dinjitoze. Është një vepër e madhe që do t’i ndihmojë shumë futbollit të Shqipërisë por edhe Shqipërisë”, është shprehur Koço Kokëdhima./Sport Ekspres/