Ekskluzive/ “Klubet e bashkisë nuk preken”! Artan Shyti flet pas “JO-së” nga Rama: Ka një problem më të madh

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur dhe ka dhënë përfundimisht një “JO” për ndihmesën e shtetit sa i përket klubeve të futbollit në vendin tonë. Pra për këtë periudhë të krizës dhe kur çdo stadiumi i është vendosur “dryni” për shkakun e pandemisë, nuk do të kemi një buxhet të posaçëm të vendosur nga qeveria.

“Sport Ekspres” ka komunikuar menjëherë me Artan Shytin, që është duke u marrë me rritjen e ekipit të Teutës dhe sjelljen e lojtarëve kualitativ te durrsakët, që mund të lënë gjurmën e tyre në futbollin shqiptar.

E teksa flasim për çështjen e sipërpërmendur, Shyti shprehet se duhet të ketë një detajim më të mirë të situatës, pasi nga kjo krizë nuk do të preken klubet e bashkisë, me fondet e këtyre të fundit që do të vijojnë për lojtarët. Pra vëmendja e posaçme duhet të jetë e drejtuar te ekipet e Superiores, atje ku kemi edhe investitorët. Por ka një problem më të madh, që lidhet me kohën kur të vazhdojnë kampionatet në Shqipëri dhe që mbeten ende në pritje të një përgjigje. Pasi deri në këto momente që flasim, kanë kaluar pak ditë dhe në rastin e një rifillimi të brenda pak kohëve, atëherë mund të flitet edhe për një zgjidhje.

“Atëherë ajo që duhet të bëhet në këtë moment, është një detajim më i mirë i planit. Sigurisht që përgjigja e marrë nga ana e kryeministrit Rama nuk është shumë entuziazste, por nga ana tjetër ishte e pritshme. Ajo që duhej bërë edhe në kërkesën e dërguar te shteti, ishte një ndërtim më i mirë i planit. Nuk mund të kërkohet mbështetje për të gjitha ekipet, por duhet të bëhet një lloj ndarje, një lloj përcaktimi.

Se shumica e klubeve dhe veçanërisht në Kategorinë e Parë dhe Kategorinë e Dytë, janë nga bashkia. Këto fonde do të merren po njësoj, pra nuk do të preket buxheti. Tani duhet të veprohet me pronarët që investojnë edhe ata një pjesë të tyre të parave mbi klubet. Para nga biletat dhe sponsorat nuk merren këto kohë. Tek ata kërkohet një mbështetje edhe për pagat minimale të lojtarëve.

Një mbështetje duhet të vijë edhe nga organizmat europian të futbollit si UEFA dhe të shohim fondin e krijuar pastaj edhe te FSHF për këtë gjendje emergjente. Por ka një problem më të madh se kjo. Se vetëm 20 ditë ne kemi pa futboll, janë pak, megjithëse rrimë në shtëpi dhe na duken shumë. Pyetja është se çfarë do të bëhet për aktivitetin më tej? Ta dimë që nëse do të vazhdojë, atëherë të flasim edhe për kompensimin e kësaj periudhe që futbollistët nuk kanë luajtur, pasi deri tani janë vetëm 20 ditë, nuk është se janë shumë, por nuk e dimë sesi do të vazhdojë më tej”, u shpreh Shyti. /Sport Ekspres/