Ekskluzive/ “Kështu shpëtohet futbolli”! Ndriçim Shtubina tregon: E vështirë gjendja, ndjekim rregullat e mjekëve

Ndriçim Shtubina ka folur për “Sport Ekspres” sa i përket situatës së pazakontë që ka prekur Shqipërinë, ashtu si edhe gjithë pjesën tjetër të Europës. Bëhet fjalë për Koronavirusin, që ka ndikuar menjëherë në buxhetet e klubeve. Në Shqipëri janë duke e pritur zgjidhjen nga shteti, ndërsa në Kosovë nuk vonuan shumë me akordimin e fondit prej 5 milionë eurove. Por në vendin tonë ende nuk ka një zgjidhje sa i përket rrogave të lojtarëve. Shtubina ka treguar edhe sa i përket stërvitjes, ndërsa ndjekin gjithmon urdhërat e mjekëve të skuadrës.

“Kjo është një situatë shumë e vështirë për të gjithë njerëzit. Por po ashtu edhe për ne sportistat që po mundohemi për t’u stërvitur në shtëpi dhe duke dalë në disa raste edhe jashtë për vrap. Tani kemi problemin e pagesave dhe kërkojmë zgjidhjen nga qeveria shqiptare, që të na ndihmoj ashtu si edhe kanë bashkëpunuar me Federatën për stadiume të reja. Kështu mund të shpëtohet futbolli. Trajneri na ka lënë një program por është shumë e vështirë për ta realizuar sepse duhet të ndjekim disa rregulla të doktorëve. Ne flasim fillimisht me dy trajnerët Safet Osja dhe Ideal Lekiqi, ja tregojmë çdo stërvitje që bëjmë edhe pastaj me Jonuzin.

Në fillim na është këshilluar edhe stërvitja në ambient më të hapur, por gjendja erdhi duke u vështirësuar dhe po bëjmë në shtëpi disa gjëra të vogla që me rëndësi është të ruajmë formën dhe gjendjen e mirë fizike”, ka mbyllur Shtubina. /Sport Ekspres/