Ekskluzive/ Kamberi flet për herë të parë: Shqipëria dhe Kosova janë Iliri, kaq mjafton për mua

Florian Kamberi është debutimi më i ri në listën e Shqipërisë. Pritshmëri të jashtëzakonshme ka mbi sulmuesin e Hibernianit, që premton shumë me aftësitë e tij.

Madje ka arritur në shumë raste që të zgjidh edhe ndeshje i vetëm në ekipin ku luan, duke dribluar mbrojtësit kundërshtar me lehtësi të madhe. Pra, një tip sulmuesi që Shqipërisë së Rejës i ka munguar prej kohësh. Ndërkohë “Sport Ekspres” ka intervistuar futbollistin për të marrë emocionet e para të ftesës. Me shumë krenari për faktin se do të veshë fanellën e Shqipërisë, Kamberi ka kthyer edhe një përgjigje të shkurtër, megjithëse jo direkte, për polemikat e hapura nga Bajram Shala. Sipas këtij të fundit që mban postin e menaxherit te Kosova, Kamberi nuk e përmendte kurrë Shqipërinë dhe i detyrohej një përgjigje për zgjedhjen e bërë.

Gjendesh në listën e Shqiperisë. Kontaktet kanë qenë edhe më herët apo jo?

Kam pasur kontakte që të luajë me Shqipërinë edhe më herët. Por nuk jam ngutur dhe kam pritur kohën e duhur dhe të jem i pjekur maksimalisht. Tani kjo kohë mbërritur.

Emocioni i parë dhe sa e pret debutimin?

Të them të drejtën, mezi po e pres të debutoj. Shpresoj se gjithçka do të jetë në rregull dhe të mbyllen të gjitha dokumentet. Padyshim është një ëndërr, megjithëse unë kam lindur në Zvicër, por jam rritur si kuqezi.

Në Skoci është Eros Grezda si miku yt i ngushtë. Ju kemi parë shumë herë bashkë, të ka folur për Kombëtaren?

Eros Grezdën e kam shumë mik të mirë. Po sigurisht që në bisedat tona, gjithmonë kemi folur për Shqipërinë

Si qendron e vërteta me menaxherin e Kosovës, Bajram Shala dhe polemikat e hapura?

Nuk dëshiroj shumë të flas për këtë çështje. Jam sot me Shqipërinë dhe jam shumë i lumtur. Menaxheri dhe familja ime janë marrë me këtë çështje. Unë vetë kam qenë i hapur për 3 Kombëtaret. Shqipëria më ka kontaktuar vazhdimisht dhe i kam besuar këtij projekti.

Shala u shpreh se i detyrohesh një përgjigje për t’i treguar vendimin përfundimtar. Ia dërgove mesazhin?

Nuk e di dhe nuk kam kohë që ta humb me të tjerët. E di që një menaxher e ka për detyrë që ta ndjekë dhe ta kontaktoj një lojtar. Kjo veprohet në gjithë Europën.

Sa e ndjen Kamberin me zemër këtë fanellë të Shqipërisë?

Kam lindur në Zvicër dhe familjen e kam shqiptare nga Kosova. Deri në vitet e fundit e kam vizituar çdo verë Kosovën. Jemi rritur në frymën shqiptare si kuqezi. Jemi edukuar se Shqipëria dhe Kosova bashkë me trevat e tjera janë Iliri. Kaq mjafton për mua.

Ndaj Francës luhet në “Arenën Kombëtare”. E ke parë me fotografi këtë stadium të ri?

Po mezi po pres që ta shoh nga afër. Shpresoj se do të luaj dhe jam i gatshëm për atë që më kërkon trajneri. /Sport Ekspres/