Ekskluzive/ “Kam dëme edhe në biznes”, flet trajneri i Vllaznisë: Ja kur qetësohet virusi! Superiorja kthehet në maj

Trajneri i Vllaznisë, Mirsad Jonuz, është kthyer në shtëpinë e tij pasi futbolli ka ndaluar në pjesën dërrmuese të Europës. Ashtu edhe si në Shqipëri, me tifozët që presin qetësimin e situatës dhe që të rikthehen sërish në stadium.

Ndërkohë, Jonuz e ka të qartë se në këtë situatë duhet të reflektohet sa më shpejt, përpara se të bëhet një tragjedi më e madhe. Por me optimizëm shprehet se brenda 15 ditësh virusi do të qetësohet, ndërsa aktualisht ka dëme edhe në bizneset e tij të tjera. Kur pyetet në lidhje me futbollin shqiptar, një mundësi e mirë është që kampionati të nis në maj dhe të mbyllet në qershor, duke përfshirë këtu edhe 15 ditë kohë që lojtarët të marrin veten fizikisht. Por me rëndësi kryesore është të fitojmë betejën më të madhe së bashku, për të larguar COVID-19.

“Situata është serioze dhe duhet të qendrojmë të disiplinuar dhe të ndjekim rregullat. Të qendrojmë në shtëpi. Reflektimi për futbollin dhe për të gjithë biznesin në botë do të jetë me pasoja të mëdha, nëse kjo gjendje nuk kalon shpejt. Biznesi im është duke pësuar gjithashtu dëme, por duhet të kemi gjithashtu një vision se çfarë duhet të bëjmë tjetër. Të fitojmë përvojë nga kjo situatë, por sigurisht, kryesore është jeta e të gjithëve ne.

Unë mendoj personalisht se brenda 15 ditësh ky virus do të qetësohet dhe gradualisht jeta do na kthehet në normalitet. Pastaj për futbollin, do të na duhet një përgatitje e shpejt 15 ditore dhe do të vazhdojë në maj dhe ne kemi mbaruar pastaj nëse gjithçka shkon mirë deri në qershor. Por tani futbolli ka më pak rëndësi. Të gjithë duhet ta mposhtim këtë sëmundje, së bashku. Do të jetë fitorja më e madhe e të gjithëve ne”, shprehet Jonuz. /Sport Ekspres/