Ekskluzive/ “Janë lajme të rreme, asgjë për t’ju thënë”, Rexhinaldo reagon për Partizanin

Rexhinaldo u përfol për një kalim te Partizani këto kohë. Një gjë e tillë u mendua pas fotove të publikuara prej sulmuesit, që ndodhej në Antalia gjatë periudhës kur kryeqytetasit po zhvillonin seancën përgatitore në Turqi. Madje, gjendej në një zonë të afërt me vendodhjen e Partizanit që stërvitej për pjesën e mbetur të Superiores. Gjithashtu edhe forma e dobët e treguar në kampionatin kazak dhe largimi zyrtar, fill pas atij sezoni ku në Shqipëri mbante kreun e golashënuesëve bënin që kjo pistë të shihej si e mundshme.

Po një lajm i tillë do të mohohej fillimisht nga presidenti Gaz Demi, i cili u shpreh se Rexhinaldo nuk ishte aspak pjesë e planeve të klubit të tij dhe se nuk përfshihej në listën e të preferuarve nga Olsi Rama për tu afruar te të kuqtë. Në një komunikim me “Sport Ekspres”, ish-sulmuesi i Kukësit do të shprehej i ftohtë dhe i prerë, duke lënë të kuptohej se një kalim i tij te Partizani nuk ka pasur kurrë vërtetësi:

“Unë nuk di asgjë se çfarë është publikuar në mediat shqiptare. Të gjitha këto artikuj që janë shpërndarë kanë qenë të rreme.”, do të shprehej Rexhinaldo në lidhje me lajmet për transferimin e tij të mundshëm te Partizani. Ndërsa kur pyetet nga ana jonë nëse do të rikthehet në Superiore, sulmuesi përgjigjet shkurtimisht: “Nuk kam asgjë për t’ju thënë”, duke lënë të nënkuptohet se nuk do të rikthehet në Shqipëri. /Sport Ekspres/