Ekskluzive/ “Investoni në shëndetësi, jo armë bërthamore”! Mezani: Kjo Tirana falë edhe Ard Memës, Partizani ka momentin…”JO”

Gentian Mezani ndodhet në izolim, ashtu si e gjithë bota e sportit pas përhapjes së kësaj pandemie. Një moment që po shfrytëzohet për të qenë më afër familjes, por nga ana tjetër, duke nisur të mendohet për të ardhmen: “Po më pas, çfarë do të ndodhë?”.

Jeta duhet t’i kthehet normalitetit dhe Koronavirusi do të largohet, ndërsa kampionatet do të nisin me një axhendë shumë të ngjeshur, me kampionatet që do të mbyllen brenda pak kohësh. Në një intervistë për “Sport Ekspres”, Mezani ka folur edhe për situatën që po kalon Partizani me Tiranën në Superiore.

Gjendja e izolimit i përfshin të gjithë. Sa po përshtatesh me këtë situatë, pasi ju që merreni me futbollin pjesën më të madhe të ditës e kaloni jashtë shtëpisë?

Sigurisht që është e vështirë që të rrimë në këtë mënyrë, por jo për faktin se jemi në shtëpi, sepse këtu jam me fëmijët e mi si edhe kam tre vjet pa qendruar kaq gjatë, por kur mendojë që çdo gjë do të na duhet që ta fillojmë nga e para. Do të jetë disi e vështirë rifillimi i kampionatit, por jo vetëm për ne, për të gjitha skuadrat.

Qendrojmë në syrin e një trajneri. Gjithë bota investon në prapavijë për sisteme që kapin raketat në një luftë të mundshme, ndërsa jeta e gjithë globit mbahet pezull nga një virus i padukshëm. Sa qesharake është ky “gol” që pësojnë të gjitha vendet, ashtu si nuk e prisnin?

Nuk po shkoj shumë larg, po marrë si shembull Italinë. Më vjen keq për situatën e krijuar aty, një sistem shumë i mirë që ka kaluar në kolaps. Kjo do të thotë që akoma ka vend për t’u përmirësuar. Thënë këtë, shpresoj që bota të fillojë të investojë më shumë në sistemet shëndetësore, sesa në sisteme bërthamore.

Kur gjithë ky makth të kalojë, duhet të niset menjëherë nga puna? Ndoshta edhe nëpërmjet futbollit, njerëzit do të futeshin më shpejt në normalitet…

Unë shpresoj që kjo situatë të kalojë sa më shpejt që të gjitha shtetet t’i kthehen normalitetit. Po ashtu edhe Shqipëria dhe Kosova. Menjëherë pasi të kalojë e gjitha kjo, duhet të nisim nga puna, pasi është vërtetë një arsye më shumë për ta harruar sa më shpejt atë që po përjetojmë.

Si e komentoni këtë ecuri pozitive të Tiranës deri në ndeshjen e fundit që u zhvillua në Superiore?

Mendoj se skuadra e Tiranës është ndërtuar mirë që në fillim dhe ka dashur kohën e duhur për të arritur rezultate të mira. Këtë gjë e ka arritur në ndeshjet e fundit pa lënë mënjanë edhe punën e mirë që ka bërë Ard Mema, por edhe atë që po bën Egbo.

Po sa i përket skuadrës tjetër të kryeqytetit, Partizanit?

Partizani nuk është se po luan keq, por ndoshta për ta është ai momenti…”JO”. Shpresoj shumë që pas kësaj ndalese të jetë ai Partizani i vitit të shkuar, për t’i dhënë akoma më shumë bukuri kampionatit. /Sport Ekspres/