Ekskluzive/ Imami i lidhur me Skënderbeun: Këtë nuk ia fal kurrë vetes, nuk erdha vetëm për rrogën

Eni Imami ishte një nga afrimet e janarit për Skënderbeun dhe në provën e parë rezultoi me sukses. Pikërisht në atë ndeshje të fituar me rezultatin 3-2 ndaj Partizanit, me futbollistin që erdhi nga Tirana dhe gjeti menjëherë vend nga minuta e parë në formacion.

Debutimi më të mirë nuk mund të kishte për Imamin, që e shfaq gëzimin për suksesin e arritur. Por gjithashtu është shumë i ndërgjegjshëm se ecuria pozitive duhet të vazhdojë edhe në ndeshjet e radhës. Në intervistën e dhënë për “Sport Ekspres”, lojtari duket shumë i lidhur me fanellën e Skënderbeut:

“Fitore që na jep moral të lartë, por që sigurisht nuk do të vlejë farë nëse nuk e mbajmë këtë ritëm dhe në ndeshjen me Flamurtarin. Më gëzoi fakti që fitova me Skënderbeun dhe ishte debutimi perfekt. Përgëzimet besoj do të jenë më të shumta nëse dalim sërish me tre pikë nga fusha e lojës. E përsëris këtë gjë, nëse nuk fitojmë ndaj Flamurtarit, do të ishte një minus i madh.

Korça më pëlqen dhe është shumë super si qytet dhe për ambientin sportiv. Besoj se jam përshtatur mirë, po vetëm të ftohtin e kam pasur pak problem (qesh). Objektivi personal është që të ndihmojë sa më shumë skuadrën që arrijmë sa më lart në klasifikim, jo si dikush që erdhi sa për të kaluar rradhën, për të marrë atë rrogën dhe të kthehem në shtëpi. Këtë nuk do ia falja kurrë vetes”, ka thënë Imami. /Sport Ekspres/