Ekskluzive/ Heroi i heshtur i Kombëtares, Kademi: M’u rrënqeth mishi, atëherë vetëm 1 fanellë kishte

Gjithmonë vëmendjen dhe jehonën kryesore e marrin protagonistët dhe njerëzit që janë para syrit të kamerave, por lihen paksa të mënjanuar punëtorët “e vërtetë”. Pikërisht ata që bëjnë gjithçka dhe kurojnë me detaje punën e tyre, që të dali sa më i mirë produkti.

Heroi i vërtetë i Kombëtares dhe një prej këtyre personave është edhe Fatos Kademi. E ka nisur prej shumë vitesh punën te Shqipëria si përgjegjësi për bazën materiale. E ka nisur punën që te ato stadiume me kushte qesharake, e për të mbërritur te kryevepra për vendin tonë, “Air Albania”.

“Sport Ekspres” ka komunikuar me të për të marrë një mendim rreth ndryshimeve të këtyre kohëve. E kush më mirë mund ta thoshte veçse këtij njeriu, që i ka prekur gjithmonë stadiumet dhe që i di më së miri kushtet e futbollit shqiptar?

I ke kaluar te gjitha te Shqipëria, për të mbërritur te “Air Albania”. Emocioni i parë që morë nga kjo arenë?

Një kryevepër ishte dhe shumë e bukur. Më është rrënqethur mishi kur e pashë të mbushur me tifozët dhe atë spektakël të tyre. Nuk kanë të krahasuar me terrenet dhe stadiumet e mëparshme. Për ta nisur nga fusha, dhomat e zhveshjeve, tualetet. I gjithi ky stadium ishte kryevepër për mua.

Kohët e fundit janë bërë shumë krahasime, madje duke e quajtur edhe si “Wembley” i Ballkanit. Nga stadiumet që ke prekur më nga afër, më kë do ta krahasoje?

“Wembley” është një tjetër status si stadium, ky është projekti ynë. Unë kam shëtitur në shumë stadium në Europë. Do ta krahasoja me kampionatin anglez për afërsinë që kanë tifozët me lojtarët. Danimarka ka pasur një të ngjashëm dhe që më ka pëlqyer kur kemi luajtur disa vite më parë. Gjithashtu edhe me “Johan Cruyff” në Holandë.

E mendoja ndonjëherë se mund të vinte kjo ditë në Shqipëri?

E mendoja, sigurisht që po. Gjërat po përmirësoheshin shumë. Tani mbetet për t’u bërë diçka e bukur edhe te stadiumi Dinamo, “Selman Stermasi”, do të ishte vërtet e bukur.

Gjithmonë kemi dëgjuar batutat tuaja me De Biazin dhe kimin e madhe që kishit së bashku. Po Reja, çfarë personi është jashtë kamerave?

Reja në zhargonin popullor do ta quaja si “babaxhan”. Ka shumë edukat dhe humor. Ka batuta shpeshherë në grumbullim. Duket fryma pozitive dhe me lojtarët, që nuk kanë stres.

Po sa i përket lojtarëve, kush po e mban frymën e grupit me batuta?

Taulant Seferi ka dalë shumë humorist (qesh). Bën shumë batuta dhe është ambientuar menjëherë me grupin, se ai kohët e fundit ka ardhur.

Po sa i përket ndryshimeve të kushteve. Sa ndryshim realisht ka nga më parë?

Ka shumë ndryshime, e thashë edhe më parë. Unë e shikoj në punën time. Atëherë ka qenë çanta me vetëm një fanellë dhe një palë tuta. Tani çanta është më bollëk dhe lojtarët i kanë të gjitha kushtet. E shoh edhe te baza stërvitore që nuk mungon asgjë edhe sa i përket topave. Pra futbollistët i kanë të gjitha mundësitë për t’u stërvitur. /Sport Ekspres/