Ekskluzive/ “Herën tjetër ta bëj datëlindjen në La Liga ose Seria A”, Myrto Uzuni mbush 25-vjeç: Festojmë me “bandën shqiptare”…

Nga Klaudio Ndreca

Dy ditë radhazi feste për lojtarin shqiptar të Lokomotivës së Zagrebit dhe një prej legjionarëve më në formë të momentit, Myrto Uzunin. Ky i fundit ka arritur të shënojë në ditën e djeshme ndaj Slaven Belupos, duke prekur kështu edhe finalen e Kupës së Kroacisë. Ndërkohë tani duhet të festohet datëlindja, pasi mbush 25-vjeç.

“Sport Ekspres” ka kontaktuar me futbollistin, për të mësuar më tepër nga atmosfera. I vetmi peng për të është fakti se nuk ka pranë familjen, por këtë hapësirë do ta mbushin shqiptarët e shumtë të Lokomotivës. Edhe ata janë pjesë e një familje të madhe, duke ia dalë mes sakrificës dhe punës së madhe, për të qenë në mbështetje të njëri-tjetrit dhe duke u kthyer në qendër të vëmendjes në Kroaci.

Shokët e tjerë të skuadrës i quajnë ndryshe edhe si “banda e shqiptarëve” për shkak të numrit të lartë që janë, por njëkohësisht sepse sundojnë në skuadër. Myrto Uzuni është duke pritur largimin në merkaton e verës dhe që të bëj kalimin e karrierës, teksa duke buzëqeshur shprehet se datëlindjen tjetër dëshiron që ta festojë në La Liga ose Seria A.

Mesazhet e marra për këtë ditë të veçantë? “Mesazhet kanë qenë të shumta dhe i falenderoj të gjithë për urimet që më kanë bërë. Uroj t’ia shpërblej me golat e mia dhe shpresoj që sa më shpejt të vijnë edhe në Kombëtare”.

Pengu më i madh për këtë festim të shënuar, kush të mungon? “Padyshim që nuk kam pranë familjen time”.

Por duhet të ketë një festë mes bandës shqiptare, apo jo? “Po, sot do ta kemi një festë me bandën shqiptare”.(qesh)

Gol dhe finale. Sa bukur është që të festosh për dy ditë me radhë… “Unë e kisha thënë edhe në intervistë që do bëj gol dhe do dërgoj ekipin në finale. Gjithmonë besoj se puna shpërblehet”.

Bëhesh ndopak nostagjik dhe përhumbesh në raste të tilla, kur kthen pak kokën pas dhe e mendon se nga ia nise? “Nostagjik unë jam gjithmonë. Kthej kokën mbrapa dhe shoh se nga kam ardhur. Ajo më jep forcë për të punuar fort dhe të eci më lartë”.

Datëlindjen tjetër, ku do ta festosh, apo në Spanjë ndoshta? “Uroj që në La Liga ose Seria A”(qesh). /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *