Ekskluzive/ Flet trajneri i ri i Flamurtarit, Troisi vjen nesër: Besoj te sinqeriteti i Sinan Idrizit!

Flamurtari ndodhet në një moment të vështirë dhe ndoshta si kurrë më parë për situatën që po përjeton. Tre pikë në dhjetë javë kampionat janë tregues i qartë se gjërat nuk po shkojnë siç duhet.

Por gjithsesi skuadra e ka shfaqur edhe reagimin e saj përgjatë gjithë kësaj kohe. Sa herë vlonjatët e pësojnë golin e parë, vjen edhe barazimi prej tyre, megjithëse nuk dalin me pikë në fund. Pra nëse gjithçka zgjidhet me problemet jashtë fushës së lojës, Flamurtari e gjen forcën për t’u ringritur.

Në ndeshjen e fundit ishte Luan Birçe që e drejtojë këtë ekip, por nesër do të vijë edhe trajneri i ri. Bëhet fjalë për Marcelo Troisin, një emër të dëgjuar në Shqipëri dhe që ka drejtuar më herët disa ekipe shqiptar.

Përpara mbërritjes në vendin tonë, ditën e nesërme, Troisi ka dhënë edhe një intervistë për “Sport Ekspres”. I pyetur nga ana jonë sesi do të përpiqet ta zgjidh këtë situatë të vështirë, na vjen kjo përgjigje: “Nesër vij në Shqipëri. Fillimisht, Flamurtari është një ekip i madh dhe ka lojtarë të mirë. Ne duhet të punojmë. Mendoj se të gjithë së bashku mund ta menaxhojmë këtë situatë për të shpëtuar Flamurtarin dhe ta nxjerrim nga ky moment i keq. Sa i përket Sinan Idrizit, është një president i sinqertë dhe unë i besoj atij. Ka për t’i zgjidhur të gjitha problemet së shpejti. Dua të mendoj fillimisht për fushën e lojës, nëse e zgjidhim aty, është gjithçka në rregull”, ka thënë Troisi. /Sport Ekspres/