Ekskluzive/ Flet babai i Klaus Gjasulës: Ka ikur 7 muajsh nga Shqipëria, kam bërë 200 km për ta ndjekur

Lista e Kombëtares së Shqipërisë me lojtarët e grumbulluar për ndeshjet e shtatorit tashmë është bërë publike. Mes shumë emrash të thirrur, Klaus Gjasula është një nga surprizat trajnerit Edi Reja. Mesfushori shqiptar që aktivizohet me Paderborn në Gjermani ka zhvilluar paraqitje mjaft të mira sezonin e shkuar, por edhe jo vetëm.

Pas intervistës ekskluzive të “Sport Ekspres” me lojtarin e ri të Kombëtares, është radha e familjarëve të shprehin emocionet për arritjet e të birit. Babai i Klausit, Fatmir Gjasula ka ndarë së fundmi një rrëfim mbi disa detaje që jo çdokush i dinte më parë. I kontaktuar nga “Sport Ekspres”, Fatmir Gjasula tregon lidhjen e futbollit që familja ka pasur ndër vite, largimin nga Shqipëria si dhe hapat e parë të djalit të tij të vogël, Klausit, në rrugën e futbollit.

I bindur se i biri do të ofrojë gjithë kontributin e tij te ekipi kombëtar, Fatmir Gjasula ndjen edhe sot përgjegjësin e përfaqësimi të kombit, që në familjen e tyre është trashëguar ndër breza.

Si ka qenë fëmijëria e Klausit? Ishte ëndrra e tij të bëhej futbollist?

Padyshim që ishte ëndrra e tij. E para se ne rrjedhim nga një familje e lidhur fort me futbollin. Klausi rrjedh nga familja Merja. Gjyshi i Klausit, Xhaferr Merja ka qenë pjesë e ekipit të Tiranës në vitet 1950-1960. Xhaxhai im, Gani Merja, ka qenë mesfushor i Partizanit dhe ekipit kombëtar. Skënder Halili është nipi i vëllezërve Merja, një  nga mbrojtësit e papërsëritshëm të ekipit të Tiranës. Gjithashtu edhe Jurgen Gjasula, vellai i madh i Klausit, ka luajtur që në moshën 17-vjeçare në Bundesligën gjermane e që  vazhdon akoma me ekipin e Magdenburgut, megjithëse në moshën 34-vjeçare.

Kur jeni shkëputur nga Shqipëria dhe si ka qenë përshtatja juaj si familje në Gjermani?

Ne jemi larguar nga Shqipëria në korrik të vitit 1990 nëpërmjet ambasadave si shumica e shqiptarëve në ato kohë. Klausi ishte vetëm 7-muajsh. Në fillim si të gjithë emigrantët, me shumë vështirësi, nuk njihnim gjuhën dhe gjendeshim në vend të huaj pa përkrahje. Më vonë, pak nga pak ja dolëm megjithëse ishim me dy fëmijë të vegjël, Jurgeni  4-vjeç dhe Klausi  7-muajsh. Tani çdo gjë ka ndryshuar, u bëmë 30 vjet në qytetin e Freiburgut dhe çdo gjë shkon shumë mirë.

 Duke e parë të rritet, si vazhduan planet e Klausit drejt futbollit?

Klausi ka filluar me futbollin me sa më kujtohet që në moshën 7-vjeçare, sepse kishte filluar edhe Jurgeni. Megjithëse luanin gjithë ditën futboll mbrapa shtëpisë ku jetonim, aty ishte një fushë futbolli. Unë gjithashtu e kaloja gjithë kohën duke parë futboll. Shkon në gen ajo punë, nuk është me imponim, në shtëpinë tonë flitej vetëm për futboll.

Keni qenë ju tifozi i tij më i madh? E ndiqnit vazhdimisht në stadiume?

Patjetër që kam qenë dhe jam tifoz i të dyve, jo vetëm në ndeshjen, por kam bërë nga 200-300 km rrugë për t’i parë në stërvitje, si dikur me kohën e munizmit i shkonim mbrapa Tiranës.

Çfarë këshillash merrte Klausi nga babai, si e ndiqnit për t’u bërë një njeri dhe lojtar i mirë?

Këshillat e mia kanë qenë të vazhdueshme si të çdo prindi që kërkon më të mirën e mundshme për fëmijët e tij. Duke u marrë me sportin fëmijët gjithmonë janë larg gjërave delikate për adoleshentët. Klausi tani është bërë vetë baba, dhe kur bëhesh prind i vlerëson këshillat që ke marrë.

Si ishte momenti i parë kur Klausi ju njoftoi se ka marrë ftesë nga Kombëtarja së Shqipërisë?

Padyshim ishte kënaqësi e madhe megjithëse e kam provuar edhe me Jurgenin. Si çdo shqiptar që do të kontribuojë sadopak për vendin e vet.

Çfarë këshille do t’i jepni në ndeshjen e parë debutuese dhe në vazhdimësi me fanellën kuqezi?

Që të japi të gjithë kontributin e tij dhe eksperiencën që ka grumbulluar gjatë gjithë karierrës së tij. Nga përvoja ime kur luan për ekipin kombëtar jep gjithmonë më shumë se me skuadrën ku luan, emocionet janë më të mëdha. I uroj më gjithë zemër suksese me Kombëtaren e Shqipërisë dhe mbi të gjitha shëndet. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *