Ekskluzive/ Fili “shpërthen” me Marantas: Trajneri i huaj ka mentalitet tjetër, tifozët të jenë të duruar

Realdo Fili është lojtari i momentit te Luftëtari. Që pas ardhjes së trajnerit Marantas te bluzinjtë, tre golat që ka shënuar deri tani kjo skuadër në dy ndeshjet e fundit, kanë ardhur pikërisht nga i njëjti autor.

Për ta nisur me atë dopietë në kampionat ndaj Flamurtarit, që ishte edhe më e rëndësishme, pa harruar edhe golin e djeshëm në Kupë. Në të dyja rastet kishim edhe një realizim që vinte në minutat e ekstreme të ndeshjes, për të vulosur edhe fatin e takimit. Në përballjen ndaj vlonjatëve për t’i dërguar shifrat në 2-1, ndërsa ndaj Turbinës për të dërguar rezultatin në 0-1.

E gjitha kjo pritej, pasi këmbët e Realdo Filit kanë shumë aftësi të mëdha dhe ky futbollist po arrin t’i shpalos në mënyrën më të mirë gjatë këtyre takimeve të fundit. Në një intervistë për “Sport Ekspres” pas ndeshjes së djeshme, Fili falenderon edhe tifozët bluzinjë për mbështetjen e madhe, por duke i kërkuar edhe pak durim.

Luftëtari nuk e nisi mirë kampionatin, por tani duket se gjërat po kthehen në rrugën e duhur. A është kjo edhe mënyra sesi e mendojnë vetë lojtarët situatën?

E vërtetë që fillimi ishte shumë i vështirë, pasi ndodhën shumë ndryshime në klub dhe lojtarët e rinjë donin kohën e tyre për t’u përshtatur. Por tani ndihemi sikur e kemi lënë pas më të vështirën dhe po punojmë shumë që të bëjmë sa më mirë në vazhdim. Jemi të gatshëm të shtojmë ritmin në stërvitje dhe ndeshje, që të përmirësohemi edhe më tepër.

Po kthehesh në lojtarin e ekstremit, që shënon në minutën e fundit për të vendosur fatin e ndeshjes. Shijon më shumë kështu, apo jo?

Më pëlqen të shënoj në çdo kohë. Sigurisht që në fund shijon më shumë, por është edhe më e vështirë, pasi lodhja bën të veten. Jam i lumtur që po arrij të ndihmoj ekipin dhe shpresoj të kem këto ritme. Dua të falenderoj të gjithë njerëzit që po më mbështesin dhe që tregojnë besim tek unë.

Puna me trajnerin Marantas. Si është komunikimi yt me të dhe a po sjell diçka ndryshe në stërvitje?

Trajneri i huaj gjithmonë ka një mentalitet tjetër. Është shumë kërkues dhe kërkon ekip të disiplinuar. Mendoj që me profesor Dalipin dhe Duron këto gjëra nuk kanë munguar, por kanë qenë rezultatet e këqija që bënin diferencën. Komunikimi është i mirë dhe jam i lumtur të punoj me një trajner të tillë profesionist.

Ndeshja e radhës me Vllazninë, që shquhet për mbrojtjen hermetike. E ka gati Fili mënyrën sesi do të shënojë?

Unë gjithmonë merrem me veten dhe jo me kundërshtarët. Do mundohem edhe që të shërbej për ekipin me asist, por nëse shënoj, do ishte shumë mirë. Të shpreojmë për një rezultat pozitiv, pasi ajo ka më shumë rëndësi.

Kampionati sapo ka nisur, jemi në javët e para. Por a mund t’i premtohet tifozëve se nuk do të luftohet për mbijetesë, pavarësisht problemeve para nisjes së sezonit?

Tifozët janë mbështetja jonë më e madhe. Por duhet të jenë të duruar pasi ky ekip sapo ka nisur një rrugë të re dhe ka potencial për të bërë gjëra të mira. Ne e ndiejmë gjithë mbështetjen e tifozëve tanë dhe këtu gjej rastin për t’i falenderuar ata që janë pranë nesh. /Sport Ekspres/