Ekskluzive/ Dyndja e talenteve shqiptarë nga Anglia! Një prej tyre edhe Bajrami: Për prindërit dhe Shqipërinë, t’i bëjmë krenarë

Shumë talente shqiptarë janë duke ardhur nga Anglia. Një fenomen që nuk ka ekzistuar më parë, por tashmë janë duke u rritur brezi i emigrantëve shqiptarë që kanë shkuar në këtë tokë. Armando Broja dhe Armando Dobra janë më të dëgjuar, por të mos harrojmë Geraldo Bajramin.

Mbrojtëis që është pjesë e Shqipërisë U-21, ka treguar një formë fantastike me Shpresat tona. Me shiritin e kapitenit ka qenë te U-23 i Birminghamit, madje edhe duke debutuar me ekipin e parë. Por për shkak të mungesës së hapësirë, u transferua për pak muaj te Solihull, disa liga më të ulëta në Angli.

Gjithsesi të gjithë që e njohin dhe kanë parë më nga afër Bajramin, e dinë fare mirë se deri ku mund të mbërrijë ky lojtar, sesa larg do të shkojë. “Sport Ekspres” ka intervistuar këtë lojtar, për të kuptuar edhe më tepër këto prurje që na vijnë nga Anglia dhe që deri tani nuk na kanë zhgënjyer me zgjedhjet e tyre.

“Atëherë për ta nisur, stërvitjet dhe ndeshjet janë anulluar në shumë vende të botës. Na është thënë që të mbajmë vetë fizikun në palestër dhe gjithashtu të mos dalim shumë nga shtëpia. Nuk është më e mira, por në këtë situatë jemi, diçka duhet që ta bëjmë.

Fillova të luaj disa ndeshje në dhjetor me Birminghamin, por pastaj nuk po thirresha më në ekipin e parë. Prandaj pashë edhe dy qendërmbrojtsit e tjerë që ishin të palëvizshëm atje dhe ishte e vështirë që të luaja deri në fund të sezonit. Kështu vendosa që të ishte më mirë të luaja futboll në ekip të parë sesa te U-23, pasi është më e vlefshme që të luash në Angli me “burra”.

Përqendrimi im është që të kthehem dhe të luaj me Birmingham, pasi është klub i madh dhe qyteti im. Por padyshim që nëse ata nuk më kanë në plane dhe nuk më japin hapësirat që unë dua, atëherë do të lëviz për t’u zhvilluar vetë personalisht.

Prindërit tanë kanë punuar shumë gjatë gjithë jetës së tyre dhe sakrifikuan shumë për ne, që të vijmë në Angli, për shanse të tilla si këto që kemi. Kështu që ne duhet t’i shfrytëzojmë që t’i bëjmë ata krenarë, por edhe vendin e origjinës, Shqipërinë, të ndihet krenare me ne”, ka thënë Bajrami. /Sport Ekspres/