Ekskluzive/ Dreshaj e thërret Vllazninë në Mal të Zi: Luani këtu, jeni djepi i gjithë shqiptarëve

Një problem që po shqyrtohet te Vllaznia është ai për stadiumin dhe arenën ku do të luajnë për shkak të punimeve në impiantin sportiv. Në lidhje me këtë problem, do të ishte presidenti i ekipit “Deçiç” në komunën shqiptare të Tuzit në Malin e Zi, Pal Dreshaj, që ka ofruar një zgjidhje.

Duke i bërë një thirrje zyrtare skuadrës shkodrane që të luajë në Malin e Zi, Dreshaj ka dhënë edhe një sqarim më të detaj për “Sport Ekspres”. Kryefjala është se Vllaznia nuk është vetëm djepi i futbollit në Shqipërinë zyrtare, por edhe në rrafshin mbarëkombëtar. Me thjeshtësinë, dëshirën dhe dashurinë për t’i ofruar një zgjidhje ekipit shqiptar, Dreshaj garanton edhe mbështetjen në shkallët e stadiumit.

“Duke lexuar një lajm në portalin “Gazeta Shkodra Sport online” për problemin me “Loro Boriçin”, unë thjeshtë e dhashë një ide dhe një mundësi për zgjidhje të problemit. Zyrtarëve të KF Vllazina nuk i kam kontaktuar, por nëse ata e kanë lexuar, kjo ftesë e imja është zyrtare. Gjithashtu është lajmëruar një subjekt i “Facebook” me emrin “Klubi Vllaznia” për të cilin nuk kam njohuri a është profili zyrtar i Vllaznisë, por gjithsesi edhe atij i kam përciellë idenë. Sa i takon mesazhit që do të ishte nëse bëhet një gjë e tillëm është shumë i qartë.

Së pari në rrafshin nacional dhe Kombëtar, sepse ne deshmojmë se jemi një si komb pa marrë parasysh kufijtë. Së dyti në rrafshin global dhe më duhet të sqaroj më hollësisht këtë të dytën. A nuk ishte ideja e UEFA-s për organizimin e kampionatit europian në disa shtete dhe jo veç në një shtet? Pastaj këto ide që ndeshjet e ligave te shteteve të ndryshme ku është futbolli i zhvilluar të luhen edhe në shtetet të tjera. Përshembull: “Klubet angleze të luajnë edhe në Amerikë ashtu si dhe klubet spanjolle të luajnë jashtë Spanjës dhe kjo me qëllim të promovimit të futbollit dhe afrimit të popujve.

Mendoj se do të ishte një risi në rajon po të realizohet një gjë e tillë dhe do të ishte shumë e bukur. Vllaznia nuk është vetëm për shqiptarët brenda kufirit administrativ si djepi i futbollit shqiptar, por është e tillë edhe në rrafshin mbarëkombetar dhe më gjerë. Ne këndej kufirit jemi rritur dhe jemi gëzuar dhe kemi festuar sukseset e Vllaznisë ashtu si edhe jemi pikëlluar me dështimet e saj. Prandaj Vllaznia përveç që ka tifozerinë në Shkodër, ka edhe një armatë tifozerie edhe tek shqiptarët në Mal të Zi. Për ne do të ishte një festë e madhe, por edhe nder për të bërë një gjë të tillë. Vllaznisë dhe shkodranëve u uroj suksese në rrugëtimin e tyre drejt kthimit të dinjitetit dhe në rrugën e lavdisë që kishte më parë”, ka thënë Dreshaj. /Sport Ekspres/