Ekskluzive/ “Do na vinin poshtë”, trajneri që mundi Partizanin: Nuk e prisja as unë, i gjetëm kohën

Për shumë ishte e pabesueshme, por Besëlidhja ia doli që të mposhte Partizanin. Madje e bëri këtë me shifrat 3-0 dhe kjo është vërtet shumë, duke ditur se përballë ishin kampionët në fuqi të Shqipërisë. Një meritë e madhe këtu i takon edhe trajnerit të lezhjanëve, Elvis Plori, i cili në një intervistë për “Sport Ekspres” ka treguar se as vetë nuk e priste një rezultat të tillë. Kreu i pankinës së Besëlidhjes ka treguar se si arritën të mposhtnin një ekip si Partizani, ndërsa këtë fitore e sheh si një hap shumë të mirë lidhur me kalimin në fazën tjetër.

“Të them të drejtën nuk e prisja 3-0, por besoja tek ekipi dhe entuziazmi që kishin sportistët. Partizani është një skuadër e mirë, por ne i gjetëm kohën dhe momentin e keq që po kalon. Pas shënimit të parë unë kam këmbëngulur që t’i sulmojmë përsëri, sepse ishte e vetmja mënyrë që të mos lironim terren, por nuk e kam menduar asnjëherë se do na e kthenin rezultatin.

Motivimi vjen natyrshëm kur luan me Partizanin, të cilët janë edhe kampionët e Shqipërisë. Vetëm i kam qetësuar lojtarët. Për kualifikimin nuk duhet të vë në përqindje, por mendoj se kemi bërë një hap shumë të mirë në këtë ndeshje. Nuk mund të flas për trajnerin. Nuk kam folur kurrë dhe nuk do të flas ndonjëherë. Eci me mendimin se çdo trajner kërkon më shumë se çdokush për të fituar ndeshjen”, ka thënë Plori./Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *