Ekskluzive/ Djali debutoi kundër Interit, babai i Emanuel Ndojit: Më kanë “mbuluar” lotët!

Historia e Emanuel Ndojit është padyshim për t’u krenuar dhe një shembull për të gjithë talentet shqiptare. Jehonën e parë të madhe kur ishte më i vogël, ky futbollist e pati kur ishte pjesë e të rinjëve Romës.

Gjithmonë cilësohej si një talent me aftësi të mëdha, ndërsa asnjëherë nuk e vendosi në pikëpyetje Shqipërinë. Sigurisht, me origjinën që rrjedh nga Blinishti i Mirditës, mund të flitet për besnikëri, qëndresë dhe heroizëm, por kurrsesi për tradhëti.

Kështu historia e Ndojit vazhdojë me një rrugë që iu shtrua përpara, falë përkushtimit të jashtëzakonshëm, punës dhe sakrificës së madhe të bërë përgjatë këtyre kohëve. Vetëm 22-vjeç është, ndërsa ka debutuar në Serinë A pas një dëmtimi të gjatë që pësoi, në përballjen kundër Interit.

E kush do të mendonte se do të luante me Balotelin në një skuadër dhe të ishte ai arsyeja kryesore se përse ekipi i tij gjendet në Seria A, elitën e futbollit italian, në këtë moshë? Ndoshta as prindërit që e kanë njeriun më të shtrenjtë nuk e kishin menduar deri këtu. Kjo pasi te Breshia në sezonin e shkuar, ishte Emanuel Ndoji që kishte “frenat” e skuadrës dhe dha pafundësisht kontribut për të mbërritur deri në elitë. I ati i këtij mesfushori, Zef Ndoj, ka rrëfyer për “Sport Ekspres” pak nga historia e tyre për emigrimin nga Shqipëria në Sicili:

“Ne vijmë nga Blinishti i Mirditës dhe në vitin 1989 jemi transferuar në Rubik. Rreth vitit 1995, më kujtohet si tani, kemi emigruar në Sicili. Vetëm një vit më vonë do të vinte në jetë edhe djali jonë, Emanueli.

Kështu, në vitin 1998 jemi transferuar drejt Padovës, ku më moshën 7-vjeçare nisi edhe jeta e futbollit për Emanuelin. Momenti më i bukur që kam përjetuar nga djali, ishte kur arriti t’i shënonte Ukrainës me fanellën e Shqipërisë. Një ditë më para asaj ndeshje unë kisha datëlindjen. Menjëherë më tha: “Ta bëra dhuratën babu”. Ishte dhurata më e bukur që më ishte bërë ndonjëherë. Por emocione ka pasur edhe kur fitoj kampionatin e Primaverës me Romën.

Pastaj ato emocionet e paimagjinueshme ishin kur hyri në fushë kundër Interit dhe debutoj në Seria A. Më mbuluan lotët nga gëzimi dhe se tani po që ia arritëm ëndrrës dhe gjithçka u bë realitet. Bekimi i nënës u bë krahë për të arritur sukses të paimagjinueshëm dhe falenderoj Zotin çdo ditë që më dhurojë një djalë të tillë me talent”, ka thënë Zef Ndoj. /Sport Ekspres/