Ekskluzive/ Debuton kundër Kosovës, emocionet e Cokajt: Myrto Uzunin e kemi si shembull!

Enis Cokaj, lojtari që deri pak kohësh ishte pjesë e Laçit, ia ka rrëmbyer zemrën të gjithëve edhe te Lokomotiva e Zagrebit. Disa paraqitje në nivel shumë të mirë që sigurisht nuk mund ta linin pa vëmendje edhe nga trajneri Alban Bushi.

Ky i fundit e ka grumbulluar në listë për herë të parë, për ndeshjen që do të zhvillohet ndaj Kosovës U-21 për kualifikueset e Europianit. Në një intervistë për “Sport Ekspres”, lojtari i skuadrës kroate rrëfen gjithë emocionin e tij, por njëkohësisht thekson se Uzuni është një nga futbollistët që e ka ndihmuar së tepërmi.

Një ftesë e pritur prej kohësh dhe që ka ardhur nga Shqipëria U-21. Si ndiesh aktualisht, kur do të përfaqësosh kombin tënd?

Ftesa nga Kombëtarja U-21 më ka lumturuar shumë, grumbullimin në Kombëtare e konsiderojë si vlerësim që më është bërë nga tranjeri dhe do jap maksimumin tim për ta shpërblyer besimin e tij dhe për ta ndihmuar skuadrën. Të luash për kombin tënd është emocion i veçantë.

Eksperienca te Lokomotiva e Zagrebit duket se ka nisur në mënyrën më të mirë. Sa po përmirësohet Cokaj në këtë sezon dhe besimi që po të jep trajneri në Kroaci.

Ky sezon ka shkuar shumë mirë për mua, ndihem mirë në këtë skuadër dhe po punoj të jap më të mirën time. Besimi që më ka dhënë tranjeri më jep shtysë të punoj më shumë. Mundohem t’i ndjek të gjitha instruksionet që na jep gjatë stërvitjes dhe sigurisht që më kanë ndihmuar të rritem profesionalisht.

Më parë ke qenë edhe pjesë e Laçit. Kur bën një krahasim të shpejt mes kampionateve, ku është ndryshimi më i madh mes tyre?

E vleresoj shumë kampionatin shqiptar, por ndyshimi me atë kroat mund të them se kampionati kroat është disi më i shpejt dhe më i luftuar.

Ndeshja kundër Kosovës do të jetë e veçantë, vëllazërore. A do të përjetohet e tillë edhe nga ana juaj dhe debutimi me gol do të ishte “qershia mbi tortë”?

Ndeshjen me Kosovën e pres të jetë shumë emocionuese, përveçse do jetë debutimi im edhe kundërshtari është i veçantë. Sigurisht që do më lumturonte shumë po të shënoja, por më e rëndësishme është që çdo gjë të shkojë mirë dhe të dalim me një rezultat pozitiv pasi Kosova ka skuadër mjaft të fortë.

Përmirësimi te Lokomotiva e Zagrebit. Sa të kanë ndihmuar lojtarët shqiptarë aty, në veçanti Myrto Uzuni?

Lojtarët shqiptarë te Lokomotiva kanë qënë një mbështetje e rëndësishme për mua që në fillim. Kaloj mirë me të gjithë dhe merremi vesh shumë mirë edhe në lojë. Uzuni është një lojtar fantastik ka aftësi dhe eksperiencë. Ai më ka ndihmuar shumë si në stërvitje dhe në lojë duke më folur dhe këshilluar për çdo gjë. E kemi si shembull. /Sport Ekspres/