Ekskluzive/ Debutoi ndaj Kosovës, Cokaj: Unë dua fitore edhe me vëllain tim, po prapë…

Një nga risitë e mëdha në listën e trajnerit Bushi për ndeshjen kundër Kosovës U-21 ishte Enis Cokaj. Mesfushori që ka luajtur edhe me Laçin, ka arritur të fitojë besimin e trajnerit të Lokomotivës së Zagrebit. Pasi i ka treguar vlerat e tij me ekipin kroat, nuk vonojë ftesa edhe nga Shqipëria U-21.

Duhej të ishte një ndeshje debutuese ndaj Kosovës, të paktën në letër. Por ajo që u pa në fushë, ishte se Cokaj rezultoi një nga më të mirët e ndeshjes dhe dukej si të kishte shumë ndeshje me Kombëtaren. I intervistuar nga “Sport Ekspres”, Cokaj na jep edhe një përgjigje shumë të bukur kur pyetet për vëllazërore ndaj Kosovës dhe mënyrës së përjetimit.

Tani për të na e shpjeguar më mirë, ishte ndeshje debutuese apo ishte “ndeshja e 10” kjo me Shpresat?

Për mua njëherë debutuese ishte si ndeshje. Por sigurisht që e ndieva veten shumë të sigurtë në lojën time. Në grup ka frymë pozitive dhe kjo ishte ajo që më ka ndihmuar shumë, për të bërë paraqitjen e duhur.

Qetësi dhe agresivitetin e duhur për të thyer aksione. Në aspektin taktik, sa e vështirë ishte për ty dje?

Do të thoja se ishte një ndeshje shumë e vështirë, sidomos në aspektin taktik. Kosova ka lojtarë me aftësi shumë të mira që mund ta vendosin në vështirësi kundërshtarin. Gjithsesi ne ishim përgatitur dhe mendoj se ia arritëm t’i përballonim.

Pas kësaj fitore, Shpresat rindizen. Por deri ku mund të shkojmë, a na lejohet të ëndërrojmë?

Pavarësisht se është e vështirë shumë, shpresa dhe mundësia ekziston ende. Punuam shumë dhe arritëm të bënim një lojë të mirë. Tani ne na duhet që të ruajmë këtë ecuri pozitive dhe të marrim sërish rezultate të mira. Ajo që mund të them, është se nuk do të dorëzohemi.

Ndeshje vëllazërore, por edhe nerva kishte në fushë. Ndonjëherë ishin edhe pak të tepruara…

Ishte një ndeshje shumë e ngarkuar emocionalisht dhe mund të kishte edhe nga këto rastet. Por unë edhe kur luaj me vëllain mundohem të fitoj me çdo kusht. Po jashtë ndeshjes, ne mbetemi sërish vëllezër. Kjo ishte edhe ajo që ndodhi me Kosovën.

Po fjalët dhe motivimi i trajnerit Bushi para ndeshje, cili ishte? Kuptohet, aq sa mund edhe të zbulohet.

Trajneri na tha që të bëjmë vetëm ato gjëra që kishim punuar në stërvitje, asgjë më shumë. Të kishim shpirtin luftarak dhe mos të na mungonte agresiviteti dhe kështu kishte bindje për fitore. Loja na u shpërblye dhe ne arritëm të fitonim. /Sport Ekspres/