Ekipi i Olajinkës kërkon Albi Allën

Te Kukësi kanë nisur që të funksionojnë gjërat siç duhet. Me organizimin e ri që ka bërë presidenti Safet Gjici skuadra jo vetëm që është kompletuar, por tashmë mendohet edhe për shitjen e disa nga lojtarëve më të spikatur. Pak orë më parë “Sport Ekspres” raportoi se Simon Rrumbullaku është dëshirë e skuadrës së Antaliasporit, madje skuadra turke është gati që të derdhë plot 300 mijë euro për shërbimet e mbrojtësit gjirokastrit. Një oferte shumë e volitshme për kampionët, që do përfitonin jo pak nga ky transferim.

Vetë Gjici deklaroi sot se drejtori Nexhipi është në bisedime me disa skuadra që janë të interesuara për shërbimet e lojtarëve të Kukësit. “RTSH Sport” përmendi dhe emrin e Allës si nga lojtarët që ka tërhequr vëmendjen. “Sport Ekspres” u interesua dhe burime të sigurta pranë klubit të Kukësit bëjnë me dije emrin e skuadrës e cila kërkon qendërmbrojtësin, i cili është aktivizuar edhe me përfaqësuesen e Shqipërisë.

Gazeta mëson se për 24-vjeçarin ka shfaqur interes skuadra belge e Zulte Varegem. Ekipi i Superligës belge, ku luan edhe ish-sulmuesi i Skënderbeut Piter Olajinka, është e interesuar për mbrojtësin e Kukësit dhe priten me shumë interes zhvillimet sa i përket një oferte që do të kënaqte presidentin Gjici. Për t’u përmendur fakti se në fund të sezonit Alla do të jetë një lojtar i lirë, nëse Kukësi nuk do të arrijë grupet e Europa League. Në të tilla kushte nuk është çudi që Kukësi të futet fuqishëm në tregun e shit-blerjeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *