Ekipi i Bardhit thyen Barcelonën, goditja vjen nga i dërguari i Realit të Madridit

Barcelona është surprizuar ditën e sotme, ku ka humbur me shifrat 3-1 në transfertën kundër ekipit të lojtarit shqiptar, Enis Bardhit, Levantes. Do të ishin katalanasit që do të kalonin të parët në avantazh me një gol të ardhur nga këmbët e të përhershmit, Mesit, që ka ekzekutuar saktë një 11 metërsh në minutën e 38 të takimit.

Megjithëse pas golit të argjentinasit dukej se Barça thjesht sa kishte nisur serinë e golave, do të ishin kundërshtarët ata që do i linin të gjithë pa fjalë, duke ndëshkuar 3 herë brenda 6 minutave katalanasit. Goli i parë i Levantes erdhi në minutën e 62 të ndeshjes, ku Morales lë një top në zonë për Campana-n, i cili duke mos pasur ngacmimin e mbrojtësave arrin të mposhtë Tet Stegen.

Ndërkohë i dërguar i Realit të Madridit te Levante, Mayoral, me një gjuajtje të bukur i ka hapur rrugën fitores për të gjetur të dytin. Ndërsa devijimi i pafat i Busquets e nxjerr Barcelonën pa asnjë pikë nga transferta e sotme, duke qenë vetëm një pikë më shumë se Reali i Madridit në renditje. /Sport Ekspres/