Ekip 70 për qind i ri, Skënderbeu nis misionin “mbrojtja e titullit”

Një sezon i nisur me trofe. Triumfi në finalen e Superkupës përballë Laçit. Ambicia e konfirmuar për të qëndruar në majën e futbollit shqiptar, por një fakt i pakundërshtueshëm. Skënderbeu nuk është skuadra e vitit të kaluar. Edhe pse kanë provuar të ruajnë një pjesë të boshtit, korçarët janë shumë të ndryshëm nga ekipi që edicionin e kaluar dominoi në kampionat dhe në Kupë. Thuajse 70 për qind e formacionit titullar është i rinovuar.

Shumë lojtarë të larguar, nga ish-kapiteni Shehi, tani në rolin e trajnerit. Trashëgimninë e tij në portë e ka marrë Aldo Teqja. Vala e largimeve ka prekur mesfushën dhe sulmin. Nga Tefik Osmani dhe Sabien Lilaj, për të vijuar me të gjithë treshen ofensive: Gavazaj e Xhejms nga krahët  dhe qendër-sulmuesin, Ali Soue.

Skuadra aktuale është pak a shumë ajo që u pa në finalen e Superkupës kundër Laçit. Vetëm një blerje, ajo e Dejvi Bregut nga Luftëtari dhe shumë lojtarë që edicionin e kaluar nuk kishin shumë hapësira në dispozicion.

Praktikisht vetëm mbrojtja ka ruajtur bazën, me rinovimet e senatorëve Radas dhe Vangjeli, ndërsa Aliti qëndroi edhe për një tjetër sezon me bardhekuqtë. Ndryshimi i vetëm është në krahun e majtë, aty ku largimi i Gledi Micit i hapi vendin Leonit Abazi. Në mesfushë mbetet vetëm Muzaka, ndërsa Demte dhe Dita kanë fituar kuota për formacionin. Alternativa të mira nga lojtarët me eksperiencë mbeten edhe Vila e Nimaga, me këtë të fundit që po rikuperohet nga dëmtimi.

Sulmi është plotësisht i rinovuar. Dejvi Bregu dhe Nazmi Gripshi, të cilët ndërrojnë shpesh krahët, në mbështetje të sulmuesit të vetëm, Krasniqi. Konkurrenca në sulm nuk mungon, sepse Oto Xhon dhe lerja e re, Saliu Guindo nga Mali do të luftojë për një fanellë titullari. Cilësia te Skënderbeu nuk mungon, por duhet parë nëse yjet e rinj do të arrijnë të ruajnë nivelin dhe të përballojnë presionin e kundërshtarëve me më tepër eksperiencë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *