Egnatia surprizon, kampionët pa busull

Vendasit triumfojnë me një gol në pjesën e parë, por kualifikimi vendoset në ndeshjen e kthimit. Verilindorët linin shumë për të dëshiruar

Egnatia – Kukësi     1-0

Shënues: Bakiasi 14’

Egnatia: Haremi, Rexhepi, Vogli, Nako, Bakiasi(Gjuzi 86’), Dosti, Baholli, Karaj, Gjoka (Hasa 76’), Selimaj (Gjonaj 65’), Mile. Trajner: V. Gjonaj.

Kukësi: Koci, Idrizi, Memini, Rrumbullaku, R. Hoxha, Musolli, Koldashi (Kërkotiç 46’), Ethemi (Joti 84’), A. Peposhi (Guri 46’), Bakaj, Alijev. Trajner: M. Milinkoviç.

Gyqtarë: E. Demiraj, A. Mema, G. Kamolli (Pogradec)

Delegat: Eduart Gjini (Tiranë)

Vëzhgues: Qemal Koci (Durrës)

Kartonë të verdhë: Gjoka 26’, Gjonaj 75’, Dosti 85’, 88’ Rexhepi 89’/ Guri 64’, Etemi 78’, Bakaj 83’.

Kartonë të kuq: Dosti 88’/ Memini 35’.

Indrit Efica

Nuk është e lehtë të fitosh e të ndalësh një ekip kampion si Kukësi. Rrogozhinasit dëshmuan një grindë të admirueshme dhe janë shpërblyer në mënyrë të merituar. Një fitore që ngroh vendasit, por kualifikimi mbetet një mision i vështirë në ndeshjen e kthimit, ku kuksianët do të jenë “zgjuar”. Për t’u veçuar fakti se takimin e djeshëm e ndoqën shumë tifozë vendas, që e kthyen në një atmosferë festive dhe në fund festuan së bashku me lojtarët për disa minuta. Shumë zhgënjim te Kukësi, që nuk po bind në këtë fillim sezoni. Supriza të tilla ndodhin, por sa përfiton gjithë formacioni i Egnatias, paguhen vetëm dyshja Bakaj-Alijev, mos më shumë.

NDESHJA

Kukësi zbriste në fushë me një formacion të gërshetuar nga elementë të rinj, por dhe lojtarë titullarë. Tekniku Milinkoviç kishte zgjedhur nga titullarët për këtë ndeshje Rrumbullakun, Hoxhën, Musollin, Bakajn dhe Alijevin, megjithatë humbja nuk është shmangur. Rasti i parë erdhi me Karajn, i cili në të 2-ën minutë goditi bukur, por nuk gjeti kuadratin. Miqtë nga Kukësi provuan të vizitojnë portën e vendasve me anë të Alijev dhe Bakajt në minutën e 10-të dhe 12-të. Tentativat e tyre ishin të pasakta. Nuk kaloi shumë dhe në minutën e 14-të erdhi dhe goli i parë i takimit me anë të mbrojtësit Bakiasi, që kaloi Egnatian në avantazh. Ai arrin të shënojë pas një aksioni model mes Karajt dhe Gjokës, më këtë të fundit që pasoi te lushnjari, i cili e dërgoi topin drejt e në rrjetë. Goli bëri që rrogozhinasit të jenë më aktivë në fushë, ndryshe nga miqtë që e patën të vështirë të dilnin në lojën e tyre më të mirë. Kukësi ngacmoi me Bakajn, por pa rezultat, ndërkohë që prej minutës së 35-të iu desh të luante me një lojtar më pak, pasi Memini u ndëshkua me karton të kuq. Rrogozhinasit ishin pranë golit të dytë në të 37-ën, por goditja e Selimajt u grushtua në kohë nga Koci. 1-0 përfundoi pjesa e parë, ndërsa fraksioni i dytë nisi me dy ndryshime te miqtë, me teknikun serb që hodhi në fushë Gurin dhe Kërkotiç. Rrumbullaku nisi serinë e rasteve për Kukësin, megjithatë topi përfundoi pak mbi traversë. Në të 73’ Ethemi goditi fort, por Haremi neutralizoi në pozicion. Minuta e 79-të solli një rast të diskutueshëm për Egnatian, që pretendoi për 11-metërsh, pas pengimit brenda zonës të Bahollit nga Ethemi. Gjyqtari vendosi të vijojë lojën. Pavarësisht se minutat e mbetura Kukësi mund të barazonte rezultatin, mbrojtja e Egnatias ishte në lartësinë e duhur. Deri në fund gjithçka mbeti e pandryshuar, duke përfunduar me fitoren e vendasve dhe me Kukësin që humbi një mundësi për t’u larguar me rezultat pozitiv nga Rrogozhina.

 

Gjonaj: Fitore bindëse, të fokusuar në kampionat

Trajneri i Egnatias, Vladimir Gjonaj, me të drejtë ishte i lumtur pas ndeshjes me Kukësin. Në prononcimin për mediat, tekniku matjan u shpreh: “Arritëm një fitore bindëse ndaj Kukësit, duke bërë një paraqitje të mirë gjatë 90 minutave. Goli na bëri që të jemi më të lirshëm në lojën tonë, pasi të luash me Kukësin është diçka pozitive, duke qenë se ka një skuadër të konsoliduar. Kukësit i uroj suksese në kampionat. Ne tashmë do të jemi të përqendruar te takimi i fundjavës që luajmë në shtëpi me Vllazninë B. Falënderoj edhe tifozët që na mbështetën në këtë takim”.

 

Bakiasi: Golin ia dedikoj djalit

Autori i golit, Andi Bakiasi, ka pasur një dedikim të veçantë pas golit të shënuar ndaj Kukësit. Mbrojtësi shpreson që realizimi i tij të jetë një ogur i mirë për sezonin e ri: “Ja dedikoj në radhë të parë djalit tim Aner, i cili më ndjek në çdo takim në stadium. Gjithashtu falënderoj të gjithë shokët e skuadrës bashkë me stafin drejtues dhe tifozët që ia dolëm të fitojmë takimin e sotëm me Kukësin. Shpresoj që goli dhe fitorja të jetë një ogur i mirë për ecurinë tonë në takimet e ardhshme”, përfundoi Bakiasi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *