Egnatia me rekord tifozësh, derbi është ndryshe në Rrogozhinë!

0

Pritet që në fundjavë të ketë një atmosferë festive. Klubi bën organizim perfekt

Fatmir Efica

Përballja e kësaj fundjave ofron për sportdashësit e shumë në Rrogozhinë e Kavajë një derbi mjaft interesant, madje të shumëpritur. Pozitat komode të Egnatias e bëjnë këtë skuadër të luajë pa presionin e pikëve ndaj besës. Kjo është një arsye me shumë që skuadra e drejtuar nga tekniku matjan Vladimir Gjonaj të kërkojë t’i rikthehet fitoreve. Suksese që në dy javët e ristartit të gjysmës së dytë të këtij sezoni i kanë munguar, pasi ka barazuar 0-0 me Dinamon dhe u mund 0-1 me Besëlidhjen në transfertë. Por kjo humbje me lezhjanët duhet pranuar se u kushtëzua më së shumti nga tendencat ekstreme të arbitrave të ndeshjes nga Tirana të cilët favorizuan dukshëm Besëlidhjen duke i akorduar një 11-metërsh të paqenë dhe ndëshkuan veçmas 11-metërshit edhe me një karton të kuq qendërmbrojtësin Klaudio Rexhepi, që do të mungojë në sfidën e kësaj të shtune karshi ekipit kavajas.  

Çfarë ndodhi më 1934?…

Ndeshjen e saj të parë miqësore në themelimin e Egnatis, ekipi rrogozhinas e ka pikërisht ndaj Besës së Kavajës. Ka qenë data 21 gusht 1934 kur ndeshja e luajtur në Rrogozhinë e 84 viteve më parë tërhoqi një numër rekord tifozësh. Besa me një formacion me lojtarë të shquar arriti të fitonte 5-1. Të pesë golat i ka realizuar një student kavajas në Universitetin e Barletës në Bari të Italisë që gjendej me pushime pranë familjes. Quhej Mustafa Cara, ishte 20 vjeç. Nga lagja Zguraj e Kavajës, atje ku kishte marrë jetë që në vitet e luftës së parë botërore, starti i lojës magjike të futbollit për Kavajën e traditave të mëdha. Për Egnatian pati një gëzim kjo ndeshje përballë “kolosëve” të Besës së atëhershme. Shënoi të parin gol Rexhep Nuredini, një prej lojtarëve më të shquar që i përket brezit të parë të futbollistëve dhe organizatorëve të themelimit të klubit të futbollit që emrin e vet të parë e ka pasur të lidhur me emrin e qytetit, ngaqë në vitin 1934 deri më 1950 ekipi u quajt Rrogozhina.     

Çfarë ndodhi në 2017?…

Fitore po 5-1 me lojë dhe gola spektakolar dhuroi Egnatia brenda në Kavajë në ndeshjen e javës së 6-të të kampionatit aktual. E habitshme por e vërtetë si “drita e diellit”. Besa është “stepur” në “folenë” e saj. Rrogozhinasit janë treguar të papërmbajtshëm. Kaluan të parët në avantazh me Andi Selimajn në 10’. Besa reagoi dhe barazoi shpejt nëpërmjet goleadorit M. Morina. Në limitin e pjesës së parë (44’) është sërish Selimaj që kalon Egnatian në epërsi 2-1. Ndërsa pjesa e dytë do të ishte me shumë shkëlqim për rrogozhinasit që realizojnë edhe tre gola të tjerë me anë të O. Bazes 68’, 84’ dhe kapitenit V. Mile në 74’. Besa shpërfytyrohet dhe merr një “pëllëmbë” të rëndë. Ishte një ndëshkim që për fatin e “mirë” të Besës, u fiksua në një stadium të “zbrazur”, pasi spektatorët kavajas për këtë ndeshje ishin të penalizuar…

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.