Egnatia fiton ndaj Laçit në…limit

0
Egnatia-Laçi, moment nga miqësorja e së mërkurës

EGNATIA – LAÇI  2-1

SHËNUES: Melani 14’ (11-m), Allkanjari 88’ / Qaqi 68’

EGNATIA: Birja, Vogli, Doçi, Nako, Bakiasi, Baholli, Karaj, Gjoka, Selimaj, Melani, Mile. (U aktivizuan edhe: Haremi, Gjyla, Vata, Topi, Allkanjari, Romero, Tufa, Meraj, Gjuzi, Aliu). Trajner: V. Gjonaj.

LAÇI: Selmani, Fangaj, Qaqi, Gjoni, Sefgjini, Smaçi, Shala, Ejo, Vucaj, Bardhi, Bushi. (U aktivizuan edhe: Popaj, Duka, Përkeqi, Kollaku, Xhixha, Elezi, Punavia). Trajner: S. Nica.

GJYQTARË: R. Zeneli, D. Mile, V. Zeneli (Lushnje)

KARTONA TË VERDHË: / Selmani 14’, Shala 83’

Fatmir Efica

Brenda pesë ditëve të fundit, Egnatia kalon nga humbja 1-2 në Fier me Apolonia te fitorja po 2-1 në Rrogozhinë ndaj Laçit, skuadër e Superiores. Dje, Egnatia shfaqi impenjim të kënaqshëm dhe diti sidomos në pjesën e parë të ishte më këmbëngulëse në veprimet e veta. Kërkoi dhe gjeti shpejt golin, edhe avantazhi erdhi nga pika e penalltisë. Egnatia i dha kënaqësi sportdashësve, që ishin dje më të paktë për shkak të temperaturave të larta. Laçi kishte mungesa të rëndësishme titullarësh si: Regi Lushkja, Arturo Rexhinaldo, Ansi Nikaj dhe Fjoard Jonuzaj. Megjithatë, duhet thënë se Laçi në pjesën e dytë ka qenë më impulsiv në ritmin e lojës, organizoi disa aksione të rrezikshme. Barazoi në mesin e pjesës së dytë e mund të gjente dhe ndonjë gol avantazhi por Kollaku e Bushi nuk janë treguar të saktë në finalizim edhe pse në episode ideale. Rrogozhinasit, në 15 minutat e fundit të ndeshjes, falë edhe ndërrimeve të shumta që bënë duke freskuar radhët e tyre e dhënë mundësi edhe të ardhurve në provë, me anë të një aksioni të bukur në qendër të zonës, që miqtë laçianë e kujtuan në pozicion jashtë loje shënojnë me anë të Allkanjarit. 2-1 për Egnatian, në një test shumë serioz.

Pas ndeshjes

Vladimir Gjoni, trajneri i Egnatias: “Fituam një ndeshje duke luajtur me impenjim dhe pa e mbivlerësuar kundërshtarin që bën pjesë në Superiore. Pashë atë skuadër që realizoi pritshmëritë e mia për nga niveli dhe harmonizimi. Konsolidimi ynë është një proces që do ende kohë që të shkojë aty ku ne pretendojmë”.

Stavri Nica, trajneri i Laçit: “E vlerësoj lojën dhe entuziazmin që tregoi Egnatia. Ne patëm mungesa të rëndësishme titullarësh në këtë miqësore, nëse e shohim këtë test për nga rezultati. Ajo që mua më shqetësoi ishte fakti se fusha dhe ambientet vërtetë nuk i plotësonin kushtet e duhura. Ne si ekip superior na bën përshtypje ky fakt. Deri në startin e kampionatit, Laçi ka shumë punë për të bërë”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here