Egnatia e ka seriozisht edhe me minifazën, shpërngulet në “Tropikal”

Nga dje deri në prag të ristartit të gjysmës së dytë të kampionatit Egnatia do të stërvitet në “folenë” e korçarëve

Fatmir Efica

Pas miqësores së barazuar në shtëpi 2-2 me fqinjët peqinas dhe pushimit të bërë të dielën nga futbollistët, paraditen e djeshme Egnatia është shpërngulur në rezidencën e korçarëve.

PRETENDIMET – Egnatia në 12 javët e gjysmës së parë të kampionatit kreu paraqitje mbresëlënëse. U rendit në vendin e dytë me meritë dhe ishte e vetmja skuadër që i shkaktoi humbje në fushën e saj Kastriotit kryesues. ”Pretendimet tona do të jenë maksimale edhe në pjesën e mbetur të këtij sezoni”, – tha dje trajneri Vladimir Gjonaj. “Nuk do ta ulim për asnjë moment tempin si gjatë kësaj periudhe të rëndësishme stërvitjesh që tani po i zhvillon në kushte shumë më të mira në kompleksin “Tropikal”, po edhe duke alternuar stërvitjet me ndeshjet miqësore. Mbajtja ndezur e pretendimeve lidhet me aftësinë e skuadrës për të luftuar denjësisht deri në fund. Pa iu trembur aspak konkurrencës me rivalët e tjerë”, – tha trajneri Vladimir Gjonaj.

MERKATO – “Presim futbollistët e huaj siç na është premtuar nga presidenca e ekipit. Bëhet fjalë për 1 brazilian, 1 kinez e 3 nigerianë. Shpresojmë që ti bashkohen skuadrës sonë gjatë kësaj minifaze në “Tropikal”, pasi kjo do të na ndihmonte shumë dhe për të parë ambientimin e tyre të shpejtë. Por, në rast se këta lojtarë do të vonohen siç na ndodhi në verën e kaluar, apo më keq akoma mund të mos vijnë duke bërë ndonjë “prapakthehu”, ne do të ndërhyjmë deri në momentet e fundit të merkatos. Do të afrojmë ndoshta edhe futbollistë nga tregu vendas gjithnjë në përputhje me nevojat tona. Konkretisht për mesfushorë krahu dhe ndonjë qendërsulmues, lojtarë që duhet patjetër të jenë cilësorë e të rivalizojnë fort e të rrisin konkurrencën me kontigjentin aktual”.

MIQËSORET – Për këtë javë të re edhe plani i hartuar nga për ndeshjet miqësore është zbardhur. Të mërkurën do të luajmë në Durrës me Apoloninë e Fierit dhe të shtunën do të luajmë në Pezë përballë Bylisit. Janë dy skuadra që i përkasin grupit tjetër dhe e kemi më të lehtë ballafaqimin me to. Duam të parapërgatitim sa më mirë që të jetë e mundur ristartin e kampionatit. Do të presim në shtëpi Dinamon dhe do të kërkojmë vazhdimësinë e serialit të lojërave e rezultateve tona pozitive”, – mbylli rrëfimin e tij posaçërisht për “Sport Ekspres”, trajneri Egnatias Vladimir Gjonaj.

Ka festë të rrogozhinasit

Dje ka pasur një festë e bukur e improvizuar nga futbollistët dedikuar 48-vjetorit të datëlindjes së trajnerit të tyre Vladimir Gjonaj si dhe qendërsulmuesit nigerian Kingsley Osinaki Agbodike që ka mbushur 20 vjeç. Urimet të shumta për Gjonajn e sulmuesin nigerian, duke e bërë edhe më të bukur klimën te rrogozhinasit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *