Egjipt i bukur, por Uruguai merr pikët

Duhej të ishte dita e Mohamed Salah, por Egjipti vendosi të mos e rrezikonte. Ndeshja e dytë e Kupës së Botës ka dhuruar futboll të bukur dhe Uruguai ka fituar 1-0, duke shënuar në minutën e parafundit të ndeshjes me Gimenez.

Ndoshta nuk e meritonte Uruguai, sepse Egjipti luajti një ndeshje shumë të mirë, duke luajtur futboll, duke kontrolluar takimin, por duke mos krijuar asnjë rast për shënim. Uruguai ka mbrojtje super, Egjipti nuk ka sulm dhe pa Salah vuan shumë, por pikën e meritonte.

Megjithatë, nëse ke yje si Kavani e Suarez, diçka e bën gjithnjë. Dy sulmuesit vuajtën shumë për të gjetur hapësira, Suarez humbi raste të shkëlqyera kur doli i vetëm me portierin kundërshtar, por fundi ishte i artë për amerikano jugorët.

Fillimisht Kavani goditi traversën nga goditja e dënimit dhe Uruguai nuk mundi ta shtynte topin në rrjetë, por një minutë më vonë Gimenez i çoi tre pikët në shtëpi me një goditje të saktë në kokë.

Një fitore “e vjedhur”, Egjipti del shumë i zhgënjyer nga kjo ndeshje, por në fund eksperienca vlen më shumë se dëshira.

EGJIPT-URUGUAI 0-1

Shënues: Gimenez 89′

89′ GOL URUGUAI! Sançez kroson në mënyrë perfekte nga goditja e dënimit, Gimenez kërcen shumë lart dhe shënon. Gol Uruguai, i pafat Egjipti, por ndoshta duhej të guxonte pak më shumë në fund.

88′ KAVANI TRAVERSË! Goditje dënimi jashtë zone për Uruguain. Kavani gjuajti në mënyrë fantastike, topi në traversë dhe sërish në zonë, ku uruguajanët nuk shënojnë dot, sepse topi i gjuajtur u përplas mbi një lojtar uruguaian. E pabesueshme!

87′ Uruguai largon Vesinon, futet Lukas Torreira. Vetëm pak minuta për talentin e Sampdorias, që e do gjysma e Europës dhe po e merr Arsenali.

83′ Kavani pranë golit! Suarez ia ul topin me kokë, sulmuesi i PSG-së godet fort, por ElShenaui devijon në këndore. Rast i shkëlqyer, portier shumë i zoti!

82′ Egjipti rrezikon sërish, El Neni brenda zone gjuan në formë parable, por mbi traversë. Nëse do ishte Salah, çfarë do ndodhte???

73’ Kavani pason bukur për Suarez, ky i fundit del i vetëm me portierin, por El Shenaui ia merr topin nga këmbët, me një dalje perfekte, pa shkaktuar faull.

72’ Egjipti nuk e fut Salah, por duket se mund ta fitojë këtë ndeshje. Një gjuajtje nga distanca e Fathi vë në vështirësi portierin Muslera, i cili kryen pritjen më të rëndësishme të ndeshjes.

67’ Uruguai vijon të vuajë dhe të mos gjejë hapësirat e duhura, kundër një rivali që po luan futboll më mirë, ndërsa Suarez e Kavani janë gjithnjë e më nervozë. Nëse futet Salah, mund të fluturojë ndonjë kafshim?

 

63′ Egjipti bën një zëvendësim në sulm, por nuk është Salah ai që futet. Kahraba merr vendin e Mohsen.

55’ Egjipti dikton ritmin e lojës dhe ka zotërimin e topit, duke tentuar të gjejë hapësira në sulm, por Uruguai është shumë i kujdesshëm në prapavijë.

59′ Sërish ndërrim tek Uruguai, që fut Rodriguez në vend të De Arraskaetas.

58′ Uruguai bën ndryshimin e parë, duke zëvendësuar Nandez me Sançez.

46′ Asnjë ndërrim në pushim, por Uruguai e nis në sulm, me ritëm më të lartë. Që në minutën e parë pas pushimit Kavani krijon një rast për Suarez, i cili gjuan bukur, por portieri El Shenaui pret po aq bukur.

35′ Ndonëse nuk po krijon asnjë rast, Egjipti po përmirësohet dhe sheh gjithnjë e më shumë nga zona kundërshtare.

24′ Goditja nga këndi prodhon sërish rrezik për portën e Egjiptit. Suarez merr një top brenda zone dhe gjuan fort, por gjuajtja e tij godet rrjetën e jashtme. Rast i pabesueshëm.

23′ Sërish Kavaliers, rrezik konstant. Sulmuesi kalon disa mbrojtës dhe gjuan, por goditja devijohet në këndore.

8`Minutat e para janë të qeta, shumë lojë mesfushe. Kavani provon i pari, me një gjuajtje nga jashtë zone, por pret portieri egjiptian.

Prej orës 14.00 në Ekaterinburg luhet Egjipt-Uruguai dhe tashmë janë zyrtarizuar formacionet e sfidës së dytë në grupin A të Kupës së Botës.

Lajmi është se Mohamed Salah nuk do të luajë nga minuta e parë. Ndonëse ylli i Egjiptit është kthyer në stërvitje dhe nuk ka shqetësime në shpatull, trajneri Hektor Kuper ka vendosur të mos e rrezikojë nga fillimi, në një sfidë mjaft të vështirë dhe ndaj një rivali shumë agresiv si Uruguai.

Në krahun tjetër, asnjë surprizë në formacionin e Uruguait, pasi Tabarez hedh në fushë më të mirët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *