Efenberg: Ozil e Gyndogan duheshin përjashtuar nga kombëtarja!

Kombëtarja gjermane ka pasur jo pak probleme kohët e fundit dhe po shkon plot halle drejt Botërorit, pasi ka pasur jo pak çështje që kanë shqetësuar ambientin.

Një prej tyre ka qenë takimi i mesfushorëve Ozil e Gyndogan me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan në Angli, duke pozuar me fanellë me emrin e Erdoganit dhe me shkrimin: “Për presidentin tonë”.

Një ngjarje e tillë krijoi jo pak debate në Gjermani, duke vënë nën akuzë lojtarët për mesazhin dhe për faktin se janë fotografuar me një politikan që akuzohet nga gjithë Europa për sjellje diktatoriale dhe shkelje të të drejtave të njeriut.

Tani një emër i famshëm i futbollit gjerman, Stefan Efenberg, shkon edhe më tej në kritikat e tij, duke akuzuar federatën gjermane për sjellje me dy standarde, pasi Ozil dhe Gyndogan duheshin përjashtuar.

Duhet kujtuar se Efenberg, një lider te Bajerni në vitet ’90, humbi Botërorin’ 94 për shkak se u tregoi gishtin e mesit tifozëve në një miqësore kundër Koresë së Jugut në Dallas para Botërorit.

“Kur bëhet fjalë për vlerat që transmeton kombëtarja gjermane, duhen vendime drastike për sjellje të tilla. Me mua dhe me Uli Shtajnin u veprua ndryshe, nuk e kuptoj pse Federata gjermane nuk ndjek një linjë të qartë. Fishkëllimat ndaj Gyndoganit janë diçka e rëndë, dramatike. Me ka ndodhur edhe mua në kombëtare. Ata lojtarë do të jenë nën presion gjithë kohën, do ta vuajnë shumë dhe mirë do ishte qe te mos shkonin në Botëror”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *