Eduart Rroca nuk largohet nga Tërbuni

0

 

“Dëshiroj të jem pjesë e projektit serioz të klubit në superiore dhe t’iu dhurojmë të tjera emocione tifozëve tanë të mrekullueshëm”

Gani PEMA

Pavarësisht largimit të Elvis Plorit nga posti i trajnerit të ekipit, drejtuesit e Tërbunit duken të vendosur për të vijuar projektin serioz për një skuadër solide në Superligë sezonin e ardhshëm. Objektivi i pukjanëve është qëndrimi në këtë kategori, për të krijuar më pas edhe një profil të “shëndetshëm” në elitën e futbollit shqiptar, duke fituar imunitet mes më të mirave. Në fund të këtij muaji, Tërbuni do të nisë nga puna për grumbullimin e skuadrës dhe startin e përgatitjeve për sezonin e ri, ndërkohë që një pjesë e mirë e lojtarëve kanë pohuar se kërkojnë të mbeten pjesë e skuadrës pukjane. Së fundmi edhe Eduart Rroca ka shprehur dëshirën për të vijuar karrierën e tij futbollistike me Tërbunin. Në një prononcim për “Sport Ekspres” ai pohon se: “Po presim me padurim për të nisur seancat stërvitore. Objektivat e klubit janë të qarta dhe duhet të jemi gati për të startuar një sezon sa më pozitiv. Kjo periudhë është shumë përcaktuese për fatin e Tërbunin të kampionat dhe duhet të tregohemi sa më të përqendruar dhe të përgatitemi sa më seriozisht. Për sa i përket largimit të trajnerit Elvis Plori sigurisht që nuk është pozitive, pasi kishim krijuar një profil të caktuar loje me të në bankinë. Megjithatë, ne i urojmë suksese në vijim, ndërsa jam i sigurt se presidenca e klubit është vënë në lëvizje për gjetjen e zëvendësuesit në stolin e Tërbunit. Në aspektin personal, dua të them se jam ndier shumë i vlerësuar nga të gjithë këtu në Pukë dhe dëshira ime është të vazhdoj të jap kontributin tim me këtë ekip. Emocionet që kam përjetuar në fund të kampionatit pas ngjitjes në Superligë ishin të papërshkrueshme dhe nuk kam për t’i harruar kurrë. Ato çaste janë të “stampuara” në memorien time, ndërsa tashmë nuk na mbetet gjë tjetër veçse t’iu dhurojmë të tjera emocione tifozëve tanë të mrekullueshëm”, përfundoi Rroca.

 

 

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here