Shqipëria e Edi Rejës, Cana: Trajneri i duhur, por më shqetëson diçka

Ish-kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana, vazhdon punën e tij intensive me fondacionin “Lorik Cana 5”, ku në fokusin e tij është promovimi i sportit te moshat e reja. Cana, për emisionin “Ora e Tiranës”, foli për kombëtaren kuqezi, shanset që kanë për kualifikim dhe trajnerin e ri, Edi Reja:

KOMBËTARJA – “Sinqerisht, kjo kombëtare mund të japë edhe më shumë. Pjesa më e rëndësishme, që është shtylla e skuadrës, është ende aty. Pas disa vitesh, mund të çalojë disi Shqipëria, kur të largohen ata lojtarë që kanë qenë pjesë e Europianit, por tani mund të japin edhe më shumë. Ka eksperiencë dhe shpresoj që në të ardhmen të jetë prapë një kombëtare e suksesshme”.

EDI REJA – “Një nga trajnerët më me shumë eksperiencë, jo vetëm në Itali, por në të gjithë botën. Një problem të vogël ka, pasi nuk ka eksperiencë jashtë Italisë, përveç Hajdukut të Splitit besoj, por nëse kjo gjë anashkalohet dhe lidhet menjëherë me lojtarët, besoj do të bëjë mirë. Ai ka eksperiencën e duhur që t’ia marrë më të mirën këtij grupi”.

KUALIFIKIMI – “Nuk e di, besoj se nuk e kemi filluar në mënyrën më të mirë. Humbja me Turqinë na lë disi mbrapa për vendin e dytë, pasi Franca nuk duhet llogaritur. Me Turqinë dhe Islandën, nuk jemi shumë larg, por humbja këtu me Turqinë, na ka prishur shumë punë. Me Andorrën, e kryem punën tonë, por transferta në Islandë do të jetë e vështirë. Reja tha që me Islandën dhe Moldavinë firmos për katër pikë, për aq firmos dhe unë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *