Edhe kostumi vlen sa… kanatierja!

0

 

Anton Cicani

Duke “shfletuar” në internet nëpër mediet botërore dhe portalet kryesisht “boombastike”, ndalova tek “Daily Mail”, prestigjozja angleze, që shpesh ka shkuar edhe për kombëtaren e Shqipërisë dhe, madje, shumë pas skandalit në Beogard, ku kuqezinjtë u dhunuan. Pikërisht fotografitë ekskluzive janë edhe “arma” më e fortë për këtë organ. Por, duke iu kthyer pikërisht një lajmi, vërtet që befasia ishte ajo që zuri hapësirë në mendjen time. Për shumë persona, Ed Woodward është një emër i panjohur, por nëse dilni një “xhiro” nga Anglia dhe qyteti i Manchester do të kuptoni se bëhet fjalë për “trurin” e klubit të United, pasi është shefi ekzekutiv dhe personi që ka në dorë menaxhimin e kësaj skuadre në rrugë institucionale dhe më tej, pasi familja Grazers është pronarja. Pikërisht përpara ndeshjes Manchester United-Bournemouth, rojet e sigurisë kanë kontrolluar më së miri shefin ekzekutiv të klubit, që po priste të hynte në “Old Trafford”…

Asnjë reagim nga Woodward, që ka hapur dhe çantën që mbante. i veshur me kostum, ai qëndroi disa minuta dhe më pas, pasi kontrolli përfundoi, kaloi si të gjithë të tjerët… Një gjest ky që në Shqipëri është i pamundur të shihet, për të vetmin fakt se asnjë kontroll nuk kryhet ndaj presidentëve dhe drejtuesve të klubeve dhe, madje, në raste të caktuara, ata mund edhe të fusin në stadium, me një telefonatë, persona të afërt të papajisur me biletë dhe pa ftesën përkatëse. Rasti “Woodward” është një planet tjetër për ne shqiptarët, ku mjafton të kesh një kostum dhe mund të lëvizësh kudo në stadium, nga tribuna tek fusha e kështu me rradhë, ndërsa tifozët, ata me kanatiere, qëndrojnë edhe 3-4 orë pa shkuar në tualet, të izoluar dhe shpesherë të shtypur nga rradhët sfilitëse. Kur do të vijë ajo ditë që të gjithë të trajtohen njëlloj? Ndoshta kurrë, rëndësi ka që të mos harrosh kostumin në shtëpi.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image