Edgar Çani-Partizani, pengesa kryesore ishte… bashkëshortja

Për të sjellë sulmuesin në Shqipëri është dashur punë “ekstra” dhe nuk ka qenë e lehtë. Menaxheri Cenolli zbulon vështirësitë e tratativave

Vladimir Prenga

Është pa frikë operacioni i verës: Edgar Çani te Partizani, lajm i raportuar në mediat shqiptare çdo verë e janar, por më në fund i realizuar ditën e enjte. Sulmuesi ka pritur gjatë oferta nga Italia, nga Seria B, pasi nuk mund të shkojë më lart, por ofertat italiane nuk ishin asnjëherë aq joshëse ekonomikisht. Seria B e poshtë ekonomikisht nuk është parajsë, ndryshe nga Superiorja shqiptare, që po shpenzon shifra të frikshme, përtej futbollit që ofron dhe faktit që në Europë tre klube dështuan që në turin e parë. Gjithsesi Çani më në fund e pranoi ofertën e Partizanit dhe kjo nuk ka qenë e lehtë, pasi sulmuesi për herë të parë do të luajë në Superiore. Duke njohur cilësitë e tij dhe futbollin shqiptar që është goxha fizik, nuk diskutohet që shtatlarti do t’i përgjigjet më së miri dhe pritet ta ndihmojë goxha Partizanin. Trajneri Mark Juliano e kërkoi me ngulm një sulmues dhe e mori atë. Tanimë i duhet të punojë me ekipin për të harmonizuar lojën në grup, pasi siç dihet ndryshimet kanë qenë të mëdha, me largime dhe afrime të rëndësishme.
PRAPASKENA – Tratativat nuk kanë qenë të lehta, pasi Edgar Çani ka provuar të luajë në Itali nga Seria A në Lega Pro, ndërkohë që është transferuar edhe në Poloni e Angli. Futbolli shqiptar është i panjohur për të dhe më në fund vendosi ta zbulojë. Pengesë për ardhjen te Partizani, më saktë për të ardhur në Shqipëri, u bë bashkëshortja e sulmuesit, por në fund edhe ajo është bindur. Menaxheri i njohur Mario Cenolli tregon për “Sport Ekspres” se oferta e Partizanit ishte perfekte financiarisht, por Cenollit iu desh pak punë të bindte Çanin. Më e vështirë ishte të bindte bashkëshorten e Edgarit: “Nuk ishte e lehtë ta bindja Çanin, por i shpjegova që oferta e Partizanit ishte shumë e mirë ekonomikisht. Pastaj Shqipëria është një hap larg Italisë, tashmë Superiorja është më mirë se Seria B. Pengesë më e madhe ishte bashkëshortja, nuk dëshironte të largohej nga Italia, por e binda edhe atë”, tregon Cenolli për gazetën. Për pagën askush nuk pyetet, ndaj vetëm palët e dinë atë realen që do të përfitojë sulmuesi nga kontrata 2-vjeçare e nënshkruar. E sigurt është që bëhet fjalë për një shumë të “majme”. Tani Çani provon Superioren, me Moxhin që ka nisur një eksperiencë të rëndësishme si këshilltar i presidentit Gaz Demi, por në fakt ai i ka të gjitha në dorë dhe po ndërton ekipin për sezonin e ardhshëm, me objektivin e vetëm për të dalë kampion. I pyetur për raportin me lojtarët e tjerë që do t’i ketë shokë te Partizani, Cenolli thotë që vetëm portierin Hoxha njeh sulmuesi, që kohët e fundit ka nisur të flasë shumë edhe me drejtorin Moxhi. Gjithashtu ai zbulon edhe numrin që do të marrë sulmuesi 28-vjeçar. “Nga Partizani njeh vetëm lojtarët që ka pasur në kombëtare. Do të marrë numrin 9, nëse është i lirë, ose numrin 17. Me Moxhin nuk ka pasur marrëdhënie, por tani flet thuajse përditë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *