Eder dërgon Portugalinë në delir, disfata “Francë”

0

Pas zhgënjimit të 12 viteve më parë, në finalen e Euro 2004 ndaj Greqisë, për iberikët e Santos vjen revanshi, duke ngritur trofeun e parë ndërkombëtar. Ronaldo, nga lotët te gëzimi. “Gjelave” u bien puplat në fund…

Nga 2004 deri në 2016-ën kanë kaluar plot 12 vjet, por shija e një revanshi është më e ëmbël se kurrë. Portugalia ngrihet në “Parajsë” dhe e bën me një gol të një futbollisti nga i cili askush nuk priste asgjë. Vjen trofeu i parë ndërkombëtar për Kristiano Ronaldon, i cili derdhi lot për një dëmtim që e detyroi të largohej nga fusha e blertë, edhe pse provoi me “mish dhe shpirt” të qëndronte në fushë, duke shtrënguar dhëmbët dhe duke fashur gjurin (përplasje me Paje), por nuk ia doli. E megjithatë, Portugalia e Santosit, që e mori pas humbjes së Pintos ndaj Shqipërisë në eliminatoret e këtij Europianit, arrin që të fitojë si grup i bashkuar, që njeh sakrificat dhe ka një moto: një për të gjithë, të gjithë për një. Një histori e mrekullueshme dhe një ecuri që askush nuk e priste. E kualifikuar pas një barazimi 3-3 ndaj Hungarisë në grup, që i dha biletën për në fazën tjetër si ndër vendet e treta më të mira. Më pas, fitorja me Kroacinë në minutën e 117-të, ndërsa në çerekfinale eliminuan Poloninë e Levandovskit & Co, me penallti. Në gjysmëfinale, suksesi ndaj Uellsit të Garet Bejlit, plotësisht i merituar dhe, së fundmi, finalja e dyluftuar me Francën, ku goli i Ederit në minutën e 108-të ishte një çlirim. Një nga ato historitë e bukura për t’u treguar. Atëherë kur e humbet shpresën, kur të duket se Europiani po të largohet, si situata në grup, ose kur duhet llotaria e penalltive (ndaj Polonisë), por gjen forcat dhe bindjen që të bësh më mirë, duke respektuar taktikisht çdo detyrë të trajnerit Santos.

Dhe kështu, rigoriziteti në çdo manovër solli edhe rezultatet e shumëpritura, në një moment kur u mendua se Franca do t’ia dilte, pasi Ronaldo doli me barrelë nga fusha e blertë. E megjithatë, shenja se kjo finale mund të ishte shansi i revanshit erdhi kur Zhinjak goditi shtyllën në minutën e fundit. Sepse, deri në atë moment, përtej ndonjë shkëndije të Grizmanit dhe Sisokos, ndër më të mirët për ekipin e Francës, ndeshja s’ka pasur ndonjë emocione të jashtëzakonshëm në 90 minuta. Sepse, u luajt më shumë taktikisht se teknikisht. Kjo edhe sepse dëmtimi i Ronaldos ndryshoi disi planet e Portugalisë, teksa trajneri Santos hodhi në fushën e lojës Kuarezmën, por ishte vendosja e Pogbasë si mesfushor përpara mbrojtjes, “alla Pirlo” ajo që befasoi disi. Në rolin e digës, sigurisht, talenti i Juventusi hasi vështirësi.  Sa i përket kohës shtesë, emocioni i vetëm erdhi nga skuadra e Portugalisë, që goditi tranversën me një super ekzekutim nga Guerrero, ndërsa pak më pas erdhi edhe goli i vetëm i mbrëmjes finale. Një inisiativë personale e sulmuesit të Lilës, ndërsa goditi nga rreth 20 metra, duke gjetur këndin e portës së portierit Joris dhe dërguar në delir Portugalinë. Të kota tentativat e Francës, pasi pas 122 minutash, Portugalia u shpall kampione Europe. Për Francën, një dështim përpara tifozerisë. Eshtë hera e parë që “gjelat” nuk ngrenë një trofe si organizues të eventit (Europiani Francë 1984, Botërori Francë 1998).

 

1              0

Portugali-Francë

Shënues: Eder 108’

E diel, 10 korrik 2016, ora 21:00, në stadiumin “Stade de France”, Paris

Portugali (4-4-2): Rui Patrisio; Sedrik, Pepe, Fonte, Guerreiro; Uilliam Karvaljo, Renato Sançez (Eder 79′), Adrien Silva (Murinjo 66′), Zhoao Mario, Nani, Kristiano Ronaldo (Kuarezma 24′). Tr.: Santos

Francë (4-3-2-1): Joris; Sanja, Koshielni, Umtiti, Evra, Sisoko (Martial 50′), Pogba, Matuidi, Paje (Koman 58′), Grizman, Zhirud (Zhinjak 79’).  Tr.: Deshamp.

Gjyqtar: Klatenburg (Angli)

Kartona të verdhë: Sedrik, Mario, Guerreiro, Uilliam Karvaljo, Umtiti, Matuidi, Koshielni, Pogba

Libri i Artë i Europianit

2016 Portugali

2012 Spanjë

2008 Spanjë

2004 Greqi

2000 Francë

1996 Gjermani

1992 Danimarkë

1988 Holandë

1984 Francë

1980 Gjermani P.

1976 Çekosllovaki

1972 Gjermani P.

1968 Itali

1964 Spanjë

1960 Bashkimi Sovjetik

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here