E zgjodhi skuadrën nga arbëreshët dhe qëlloi e goditur, Dërmaku: Erdhi një moshë që duhej Seria A

Kastriot Dërmaku do të shkëlqente me Kosenzan në Serinë B, atje ku kishte edhe shiritin e kapitenit. Prej andej do të kapte edhe Kombëtaren, ndërsa më vonë do të vinte edhe oferta e Parmës. Nuk i kanë besuar shumë në Serinë A, por në ndeshjet që ky mbrojtës ka luajtur në elitën e këtij kampionati, ka qenë në nivel fantastik.

Në një intervistë të fundit, Dërmaku ka zbuluar se kalimi dhe zgjedhja e Kosenzas ka ardhur edhe falë arbëreshve që ndikuan në vendimin e tij. “Më duhej të vendosja atëherë mes Kosenzas, Viterbos dhe Matera. Atje kishte edhe disa bashkësi të arbëreshëve dhe kjo ndikoi për zgjedhjen time, ndërsa në fund rezultoi si më e mira që mund të bëhej. Gjatë sezonit pata një kontakt me Parmën dhe ishte mundësia për të shkuar në Seria A. E pranova dhe pse ishte një zgjedhje e vështirë, por shansi i fundit për të bërë kalimin e madh. Arrihet një moshë e caktuar dhe duhet të marrësh këto vendime, më pas e gjeta veten në një mjedis ku ishte më mirë sesa ajo që prisja”, tha Dërmaku. /Sport Ekspres/