E zbulojnë në Itali, Reja i habit të gjithë me këtë rikthim

0

Edi Reja ka nisur nga puna me kombëtaren shqiptare dhe momentalisht po i stërvit kuqezinjtë në Durrës. Grupi i lojtarëve të grumbulluar është i vogël, ndërkohë që pritet që në ditët në vazhdim të mbërrijnë edhe të tjerët.

Nga Italia mësohet se pjesë e grumbullimit për ndeshjet me Islandën dhe Moldavinë do të jetë edhe mbrojtësi Hysen Memolla. Lojtari i linjës së majtë ka qenë edhe më parë pjesë e kuqezinjve dhe për të është një rikthim, surprizë duhet thënë.

Hajduku i Splitit në pjesën e parë të sezonit nuk e përfshiu në ekipin e parë mbrojtësin, ndërkohë që nuk e lejoi të luante as me ekipin e dytë për një kohë të gjatë. Memolla u aktivizua vetëm në dy takime të Hajduk Split II dhe në janar u transferua te Salernitana në Serie B.

Ndeshjen e parë me klubin italian e ka zhvilluar në fillim të muajit prill dhe më pas sërish pushim, për t’u rikthyer në fushë në dy takime të këtij muaji. Në të trija takime, kundër Specias, Kozencës dhe Foxhias, Salernitana është mposhtur.

Salernitana News, që bën me dije grumbullimin e Memollës në kombëtare, mes të tjerash përmend edhe marrëdhënien e mirë që trajneri i kombëtares, Edi Reja, ka me Klaudio Lotiton, president i Lacios dhe pronar i Salernitanës.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.