E vetmja dobësi e Bares/ Trajneri jep shpjegime, mediat spanjolle: Malaga humbi fuqinë pa të!

Pasi zhvilloi dy ndeshje fantastike me Kombëtaren e Shqipërisë, Keidi Bare u rikthye sërish në Spanjë me ekipin e Malagas. Trajneri Sanchez e ka aktivizuar menjëherë si titullarë, pasi nuk mund të linte në stol një lojtar të këtij kalibri.

Por ajo që ka bërë disi habi ishte zëvendësimi i lojtarit fierak. Në minutën e 66 do të ndëshkohej me kartonin e verdhë, ndërsa 4 minuta më vonë trajneri e nxorri menjëherë nga fusha. Ky i fundit është detyruar të jap shpjegime për tifozët, pasi Bare ishte një nga më të mirët në fushë:

“Bare është shumë i ekspozuar ndaj situatave ndëshkuese. Kartoni i verdhë ndikoi shumë, por edhe minutat që kishte në këmbë te Kombëtarja”, ka thënë Sanchez. Faktikisht kjo është edhe e vetmja dobësi e lojtarit të Shqipërisë, që luan një futboll shumë të ashpër dhe shpeshherë merr ndëshkime nga arbitrat.

Kjo do të ishte hera e dytë që Sanchez e largon nga fusha vetëm për të mos rrezikuar ndëshkimin me të kuq. Gjithsesi nuk përbën problem për aktivizimet e ardhshme, pasi Bare është një nga lojtarët më të mirë të Malagas. I tillë është edhe vlerësimi që media prestigjoze “AS” jep për këtë ndeshje: “Bare u largua më shumë për shkak të kartoni të verdhë. Por aktivizimi i Juanpi në vendin e tij, e uli ndjeshëm fuqinë mbrojtëse te kjo skuadër”, shkruan media spanjolle. /Sport Ekspres/