E vendos edhe Italia/ Caktohet data për rifillimin e Serie A, ka vend edhe për ndeshjet e Kupës

Pas shumë debatesh në distancë me qeverinë më në fund edhe Serie A vendos datën e rikthimit në fushën e lojës. Gjatë Asamblesë së sotme me 20 klubet e elitës së Italisë është vendosur 13 qershori si momenti për t’ia nisur edhe njëherë nga aty ku u ndërpre gjithçka. Ekipet do të luajnë çdo 3-4 ditë dhe në këtë mënyrë do të përfundojnë sezonin në datën 2 gusht. Një skenar ky që shkon edhe në përputhje me kërkesat e UEFA-s, e cila para 3 gushtit dëshiron emrat e kampionëve dhe të skuadrave që kanë prerë një biletë për Kupat e Europës.

Ndërkohë, përpos 12 javëve të kampionatit janë edhe 4 ndeshje për t’u rekuperuar në Serie A. Gjithashtu do i jepet mundësia që të luhen edhe dy raundet e Kupës së Italisë, për të përmbyllur kështu të dyja kompeticionet dhe jo vetëm kampionatin. Një verë e ngjeshur dhe e lodhshme i pret përpara lojtarët, ndërsa tashmë çdo gjë është në dorën e qeverisë, që duhet të japë “po”-në zyrtare për të vënë në jetë planin e Serie A./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *