E veçantë/ Të gjitha verdiktet që u mësuan nga java e tetë e Kategorisë Superiore

  • Vllaznia e Jonuz është e bukur, por nuk di të luajë kurrë me 12 lojtarë

Vllaznia ka humbur me rezultatin 1-3 ndaj Partizanit, duke përsëritur paksa të njëjtën skenë me Tiranën. Në një stadium të tejmbushur dhe që të jepte emocione të jashtëzakonshme, futbollistët nuk janë mësuar ende që t’i kthejnë në favor të tyre dhe t’i përdorin si “armë shtessë” për të thyer kundërshtarin. Një moment duhet filli për t’u humbur dhe gjithçka do të prishet. Ashtu si edhe ndaj të kuqëve ku Çinari dhe Asani e mbyllën ndeshjen në pak minuta. Por gjithsesi Vllaznia e Jonuz bëri një lojë të bukur dhe tregoi vlerat e saj. Vetë trajneri e pranoi problemin e psikologjisë të lojtarëve kur kanë aq shumë mbështetje në tribuna dhe deri diku e kuptueshme, pasi vinin nga një sezon për t’u harruar me rënien në Kategorinë e Parë. Për momentin, Vllaznia nuk duhet të luajë ndeshjet e mëdha me shumë tifozë, rezulton “vetëvrasje”. Lojtari i 12-të bën autogol aksidentalisht dhe në mënyrë të paqëllimtë, megjithëse e dëshiron fitoren më shumë se të gjithë!

  • Kukësi i Duros të frikëson vetëm në letër, kur futet në fushë… jo më!

Kukësi e drejtur nga ana e Shpëtim Duros të frikëson vetëm në letër. Ndeshja e fundit me Skënderbeun e faktoi një gjë të tillë. Për të parën herë verilindorët vinin si tërësisht favoritë, ndërsa diferenca ishte e dukshme me emrat që zbritën në fushë. Për të kaluar te panorama e ndeshjes, atje ku Kukësi duhet ta quajë veten me fat që doli me pikë nga kjo transfertë. Gavazaj-Abazaj-Shkurtaj që iu bashkua edhe Et’hemi si organizator nuk arritën të shpërthenin për asnjë moment, duke qenë shumë të përballueshëm për skemat e Dajës. Një ekip si ai i Kukësit dhe shpenzimet e bëra në merkato, nuk e ka vendin atje ku ndodhet aktualisht, në të 7-tin. Tashmë është gjithçka e qartë, Duro po luan edhe stolin në këto takime.

  • Marantas e humbi fillin, gjyqtarët kishin më shumë vlerë se Luftëtari

Një skenë e evitueshme ka ndodhur mes Luftëtarit dhe Bylisit. Për të ardhur keq, pasi kjo përballje megjithëse jo mes dy emrave që shihen si favoritë për të luftuar për vendet e para, por prodhonin një futboll fantastik për t’u ndjekur. Raste nga njëra portë në tjetrën, të krijonin përshtypjen se bëhej fjalë për një përballje të një kalibri tjetër dhe që pak ndeshje të tjera të Superiores mund ta jepnin. Derisa trajneri Marantas e humb komplet fillin dhe lë ndeshjen, njëkohësisht edhe Luftëtarin, për t’u marrë me gjyqtarët. Një problem me tabelën elektronike bëri që zëvendësimi i bluzinjve të mos kryhej. Kaq ka mjaftuar që trajneri grek të shpërthente dhe të ishte i papërmbajtshëm. Por ndërkohë që vazhdonte e vazhdonte të debatonte me gjyqtarin e katërt, Luftëtari po barazonte në minutat e fundit me rezultatin 1-1 ndaj Bylisit. Lojtarët në ato momente e donin një drejtim dhe një këshillë më tepër nga trajneri i tyre në ato momente, por Marantas ishte duke u përpjekur të zgjidh të tjera çështje.

  • Kryeqyteti zgjohet pas Kombëtareve, Tirana dhe Partizani kanë të njëjtin hap

Pas ndeshjeve të Kombëtareve, ka frymëmarrje për ekipet kryeqytetase. Të dyja ekipet nuk kishin arritur që të fitonin në ndeshjet e fundit para se skenën kryesore ta rrëmbente Kombëtarja, duke sjellë edhe situata jo të mira. Por me rikthimin e kampionatit, vjen edhe qetësia. Partizani i Lerdës merr tre pikë jashtëzakonisht me vlerë ndaj Vllaznisë që ishte në formën më të mirë. Trajneri italian rrezikon gjithmonë pasi nuk bind me një rezultat apo me lojën e të kuqëve, derisa vjen një përplasje e madhe, e fiton atë sfidë dhe rikthen entuziazmin me besueshmërinë. Nga ana tjetër, Tirana ka bërë detyrat e shtëpitë përball Laçit, megjithëse me vështirësitë e saj. Në shifrat 2-1 ka ardhur fitorja, por që vlen tre pikë, po aq sa ajo e Partizanit. Të dyja këto skuadra ndodhen me 14 pikë duke mbajtur vendin e dytë dhe të tretë. /Sport Ekspres/